FFK-ja shpërndan policat e sigurimit shëndetësor për klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës U17 të vajzave

25 tetor 2023 | 15:53

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të mërkurën ka bërë shpërndarjen e policës së sigurimit për klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës U17 të vajzave. Shpërndarja është realizuar në selinë e FFK-së, ku ishin të pranishëm nënkryetari Agim Dibrani, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqi, si dhe drejtori i përgjithshëm i “Sigal”-it, Përparim Drini.

Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqi, ka falënderuar kompaninë “Sigal” për interesimin që kanë shprehur për bashkëpunimin që prej vitit të kaluar, veçanërisht në sektorin e futbollit të vajzave. Ajo është shprehur e kënaqur për mbështetjen që po i jepet futbollit të vajzave. Krasniqi ka theksuar se futbolli i vajzave ka nevojë për më shumë mbështetje nga bizneset, por kjo sipas saj arrihet përmes rritjes së cilësisë së futbollit.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i “Sigal”-it, Përparim Drini, ka falënderuar FFK-në për bashkëpunimin në dy vitet e fundit. Drini ka theksuar se kanë mbajtur takime me FFK-në për të parë nëse klubet kishin ndonjë pakënaqësi vitin e kaluar, në mënyrë që të sigurohen që gjithçka të shkonte mirë këtë vit. Po ashtu, ai është shprehur i kënaqur që kompania “Sigal” është sponsor kryesor i Superligës së vajzave.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Departamentit të Shëndetit në “Sigal”, Arbresha Jonuzi, ka informuar përfaqësuesit e klubeve rreth policës së re. Ajo ka bërë me dije se kontratat janë të njëjta, ashtu sikurse edhe mbulueshmëria. Kontrata aktuale është e vlefshme deri më 30 shtator dhe nga 1 tetori fillon viti i ri. Përfaqësuesit e klubeve janë shprehur mirënjohës dhe të lumtur për këtë projekt, duke e vlerësuar atë si të suksesshëm dhe të rëndësishëm për ecurinë e klubeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me…