Filloi miqësorja Kosovë – San Marino
Ka filluar ndeshja miqësore mes Përfaqësues së Kosovës dhe San Marinos. Kjo ndeshje po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Duke parë kualitetin e rivalit, Kosova në këtë ndeshje pret fitore, derisa për shtabin teknik kjo ndeshje ka rëndësi të madh për lojtarët e rinj që janë ftuar.
“Jemi Kosova dhe nuk mund të zgjedhim kundërshtarë që duam ne. Kemi luajtur dy ndeshje mjaft të vështira, ndaj Suedisë dhe Spanjës. Kemi gjetur kundërshtarë që do të mund të luanim më lehtë me ta. Në këto dy ndeshje mendoj se është mundësi e mirë. Na shërbejnë edhe për t’i parë lojtarët e rinj dhe shkojmë për fitore. Kemi respekt për të dyja ekipet, edhe San Marinon edhe Maltën. Nëse mendoni se i kemi zgjedhur vetëm për ta shpëtuar punën time, atëherë ju nuk dini asgjë për personalitetin tim”, ka thënë një ditë para ndeshjes, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes.
“Dardanët” do të zhvillojnë miqësore ndaj Maltës më 4 qershor në Austri, derisa në këtë muaj do të zhvillojnë edhe dy ndeshjet e tjera miqësore kundër Guinesë dhe Gambisë në Antalya.
/Epoka e re/



