Filloi punimet Seminari Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë

31 korrik 18:23

Në organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, ka filluar punimet Seminari i XV-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë, i cili këtë vit po mbahet në Prizren.

Në këtë seminar tradicional po marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, mësimdhënës që jetojnë e veprojnë në diasporë, të angazhuar në procesin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Fjalën e hapjes e mbajti zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Heset Sahiti, i cili ndër tjera ka thënë se ky seminar tradicional është në funksion të këmbimit të përvojave më të mira të mësimdhënies për fëmijët në diasporë, ruajtjes së gjuhës, traditës, e të kulturës sonë kombëtare.

Po ashtu, zëvendësministri Sahiti ka thënë se çdo ditë e më shumë po ndërmerren hapa konkret në jetësimin e marrëveshjes së përbashkët në mes dy qeverive Kosovë – Shqipëri në fushën e arsimit, duke filluar nga kurrikulat e përbashkëta, tekstet shkollore për diasporën, programe e metodologji të reja të mësimdhënies moderne, për ta bërë sa më atraktiv të mësuarit e gjuhës shqipe.

Sahiti ka thënë se mësimi i gjuhës shqipe nga të rinjtë tanë në mërgim është i rëndësisë së veçantë për të gjithë ne, sepse veç tjerash, mban lidhjet me vendlindjen dhe gjithë trevat shqiptare. “Është detyrë dhe përgjegjësi e dy qeverive tona që të mbështesim këtë proces në vazhdimësi me të gjitha mundësitë që kemi”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Sahiti ka pohuar se MAShT-i e vlerëson punën dhe sakrificën e mësimdhënësve për angazhimin e palodhshëm në përmbushje të misionit prej mësimdhënësi kudo që jetojnë, për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Seminari do të vazhdojë punimet deri më 3 gusht.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i AC Milan, Kevin Prince Boateng është transferuar në…