Fillon festivali i rrushit “HardhFest 2019”

16 gusht 2019 | 14:47

Në Rahovec është hapur të premten festivali i rrushit “HardhFest 2019”, i cili sivjet organizohet me moton “Një got’ për mot”, ku ishin të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, deputetë dhe ministra.

Nikoqirja e festivalit, Fahrije Hoti, themeluese dhe drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore “Krusha e Madhe”, pasi ka përshëndetur mysafirët, ka thënë se ndjen kënaqësi dhe privilegj të jetë në rolin e nikoqirit të festivalit, i cili më së miri promovon vlerat e Rahovecit në mbarë botën.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se toka e Rahovecit është më punëtore në Kosovë.

“Sot qyteti ynë hap dyert, zemrat, bujarinë dhe fisnikërinë për mysafirë”, ka thënë ai, duke falënderuar në vazhdim Këshillin Organizativ për punën e tyre të palodhshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij ka thënë se sot është ditë e veçantë jo vetëm për Rahovecin por edhe për Kosovën, pasi sipas tij, prodhimi kryesor rahovecas, vera, tashmë është e pranishme në tryezat e të gjitha kontinenteve.

Ndërkaq presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, derisa ka numëruar tri arsyet pse është i pranishëm sot në Rahovec, ka theksuar ka vërejtur kapacitete të jashtëzakonshme prodhuese në Rahovec.

Ai ka thënë se kjo festë nuk është vetëm gëzim, por edhe mbështetje e madhe prodhuesve të verës. “Populli i Rahovecit meriton mirënjohje të veçantë, sepse sot vera e Rahovecit është kudo në botë”, ka thënë presidenti Meta.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se institucionet duhet të fokusohen në politika fiskale dhe lehtësira tatimore në përkrahje të fermerëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditët e fundit në Itali po qarkullon gjerësisht lajmi i…