Fillon fushata e korrje-shirjeve

07 korrik 2019 | 17:31

Mbi 1 400 autokombajna do të jenë aktive gjatë fushatës së korrje-shirjeve.

Në Prizren, Suharekë dhe Rahovec fushata e korrje-shirjeve tashmë ka filluar. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim edhe me palët e tjera që ndërlidhen me këtë proces, kanë bërë parapërgatitjet për fillimin dhe realizimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2019.

Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, përfaqësuesit e MBPZhR-së kanë mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësues të Drejtorive Komunale për Bujqësi, të Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Mullisëve.

Gjatë këtij takimi palët e përfshira në këtë proces janë pajtuar që të mos fillohet me korrje-shirjet para pjekjes së plotë të grurit, e krahas kësaj edhe drejtoritë komunale për bujqësi të raportojnë në MBPZhR, gjegjësisht të komisionit qendror për monitorimin e korrje-shirjeve për vitin 2019, një herë brenda javës lidhur me ecurinë e korrje-shirjeve në komunat e tyre.

Me këtë rast, bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZhR, përfaqësuesit e DKB-ve, përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve, kanë propozuar që çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2019 do të ishte 100 euro për hektarë (nënkuptohet se çmimi i korrje shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve).

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës sivjet me kulturën e grurit janë të mbjellë 50 mijë hektarë, ndërsa MBPZhR-ja i mbështetë kultivuesit e grurit dhe farës së grurit përmes pagesave direkte.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident ka ndodhur në magjistralen Lezhë-Shëngjin ku janë përplasur…