Fillon zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën

04 tetor 2022 | 15:46

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj kanë vizituar të martën zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.

Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës.

Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.

“Me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në portet e Durrësit, do t’i ulim kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro, kurse përmirësimi i kohës së zhdoganimit do të reflektohet në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja në vend”, ka thënë ministri Hekuran Murati.

Ndërkaq ministrja Delina Ibrahimaj ka thënë se zhdoganimi i mallrave me destinim Kosovën në portin e Durrësit është vetëm hapi i radhës në marrëdhëniet tona tregtare, duke theksuar edhe njëherë angazhimin e qeverisë shqiptare në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durrësit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinim Republikën e Kosovës, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.

Në mbledhjen e fundit në mes të dy qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesut Ozil që luan për Basaksehir në Superligën turke i…