Fitojnë Feronikeli, Trepça ’89 dhe Llapi  

28 shtator 2019 | 22:39

Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 7-të në IPKO Superligë. Feronikeli dhe Trepça ‘89 kanë shënuar fitore me rezultate bindëse, derisa Llapi me vështirësi ka arritur të arkëtojë tri pikë në duel me Dukagjinin.

Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, ka arritur ta mposhtë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas skuadrën e Ferizajt, me rezultat bindës 5:0. Dy golat e parë i shënoi Kastriot Rexha, në minutat 8’ e 12’, derisa më pas shënoi Mendurim Hoti (39’) dhe dy golat e fundit Haxhi Neziraj (53’, 64’).

Do theksuar se nga minuta e 21-të Ferizaj luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Dardan Jasharit. Mjaft efikase u tregua edhe Trepça ‘89, e cila e mposhti Flamurtarin, me shifrat 5:1, me golat e shënuar nga Arb Manaj, Traore, Emini, Rusi dhe Maloku, derisa golin e nderit për kuqezinjtë e kryeqytetit e realizoi Taloviq.

Ndërkohë, Llapi shumë më vështirë se sa është pritur e mundi Dukagjinin, me rezultat 2:1. Armin Mujkiq i kaloi llapjanët në epërsi, në minutën e 40-të. Skuadra nga Dukagjini i barazoi shifrat në minutën e 67-të kur shënoi Husein Demiri, vetëm dy minuta pasi Llapi mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Kastriot Selmanit. Megjithatë, llapjanët arritën të gjejnë golin e fitores në minutën e 80-të kur shënoi Mërgim Pefqeli.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleancë Kosova e Re, sot para qytetarëve të Gjakovës, ka…