Fituesja e Nobelit për Paqe thotë se populli iranian do të triumfojë kundër sunduesve

10 dhjetor 2023 | 14:45

Populli iranian do ta mposhtë përfundimisht autoritarizmin e vendosur nga qeveria, e cila i ka humbur ligjshmërinë dhe mbështetjen e popullit, ka thënë nga burgu fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, në një fjalim që është lexuar nga fëmijët e saj të dielën.

Komitetit norvegjez i Nobelit ia ka ndarë këtë çmim Mohammadit në tetor, për luftën e saj të padhunshme “kundër shtypjes së grave në Iran” dhe për promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë.

Binjakët e saj 17 vjeç, Kiana dhe Ali Rahmani, e kanë pranuar çmimin, një medalje ari dhe një diplomë, në një ceremoni në Oslo të Norvegjisë, ku kanë marrë pjesë disa qindra mysafirë. Çmimi përfshin edhe një shumë parash prej rreth 1 milion dollarësh.

Në fjalimin e saj, të cilin e kas dërguar nga burgu famëkeq i Iranit, Evin, Mohammadi ka thënë se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim.

“Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen. Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, ka shkruar ajo në gjuhën frëngjishte.

Ajo është duke kryer dënime të shumta nën akuzat që përfshijnë gjoja përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike. Ajo është arrestuar në nëntor 2021.

“Po e shkruaj këtë mesazh brenda mureve të larta dhe të ftohta të burgut”, ka thënë Mohammadi, duke shtuar se ajo dhe shumë aktivistë të tjerë në Iran po luftojnë vazhdimisht për “të mbetur gjallë”.

Ajo eka fituar këtë çmim rreth një vit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, e cila ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur si duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

Gratë iraniane u kanë prirë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e Aminit në shtator 2022.

Protestat e kanë humbur gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit janë përballur me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egjiptianët kanë filluar të dielën të votojnë në zgjedhjet presidenciale,…