Fjala e Smajl Latifit në ceremoninë e varrimit të motrës së heronjve të kombit, Fahri dhe Bahri Fazliut, Kimete Fazliu-Podvorica
Të pikëlluar familje Podvorica dhe Fazliu!
Të nderuar të afërm, miq e pjesëmarrës!
E bija e bacës Rrahman dhe e nënës Halime, motra Kimete Fazliu – Podvorica, ishte nga ato gra që nuk e njohu kurrë dorëzimin. Si motër e heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliut, ajo e jetoi jetën me dinjitet, me krenari dhe me mall të pashuar për vëllezërit e saj heronj, duke mbetur gjithmonë e palëkundur në idealet e tyre.
Motër Kimete, u linde nga nëna e madhe, nëna e qëndresës së pashembullt, nëna Halime dhe nga një baba që veçse siguronte kafshatën e bukës me djersën e ballit si një minator. U linde e u rrite nga dy njerëz të mirë, dy shqiptarë të thjeshtë, të ndershëm e patriotë, që mbollën farën e atdhedashurisë te djemtë dhe te vajzat, u edukove nga prindërit që rritën bijë që bënë histori dhe me veprën e tyre vetë u bënë themel i fortë i kalasë së lirisë së ujitur me gjak.
U rrite e u bërë bashkë me vëllezërit si një trup i vetëm, për të fituar hisen e Diellit që na takon.
U rrite në një familje që është emblemë e lirisë, në një mjedis patriotik, duke u bërë bashkë me Fahriun e Bahriun, me Fadilin e Nebihun, me ata burra e gra që ishin përcaktuar të organizoheshin për përballje me pushtuesit, me ata që u vunë në ballë të betejave, ishe bërë krahu i atyre që luftonin e derdhnin gjakun për liri.
Po, motër Kimete, ti ishe në anën e vëllezërve tu, të shokëve e bashkëveprimtarëve të vëllezërve tu, sepse e dije se liria fitohet me gjakun e trimave që vdekjen e bëjnë si me le, që liria të lindë e të hedhë shtat në këto troje.
Motër e shtrenjtë, nuk u theve as atëherë kur u përjetësua vëllai Fahriu, e as kur fitoi përjetësinë Bahriu. Ti ishe me ta, sepse ata ranë duke luftuar, mbete me vëllezërit e krah Fadilit e Nebihut, që kurrë s’e ndalën hapin për çlirimin dhe bashkimin kombëtar, mbete motra që u jepte krah vëllezëve të vet që po jepnin gjithçka nga vetja për ta jetësuar amanetin e vëllezërve heronj.
Ishe bashkëshorte e Milaim Podvoricës nga Dumoshi, ish – i burgosur politik, me të cilin krjuat familje që ju bën krenarë, dy djemtë e dy vajzat: Qëndrimi, Besiana, Labrioni dhe Alsa Podvorica.
Motër Kimete, të lodhi sëmundja e rëndë, vuajte shumë, por ti nuk u dorëzove, jetove me dinjitet e krenari, sepse ishe po ajo që të njihnim, njerëzore e dinjitoze, pjesë e një familjeje atdhetare, ishe motër e vëllezërve që po i jepnin shpirt e jetë lëvizjes kombëtare e luftës çlirimtare, ishe motër e atyre që po jepnin zemër e forcë liridashësve kudo që ishin, ishe motër e atyre që po bënin epokë, duke i përmbysur e shkatërruar rrathët e ferrit që na kishin nxirë jetën, ishe motër e atyre që err e terr vepronin e luftonin për liri.
Jeta jote u rëndua, por nuk të ndali, nuk të ndali as sëmundja, nuk u ndale deri në frymën e fundit.
Motër Kimete, nuk u dorëzove as atëherë kur Fadili u përball me padrejtësitë e Gjykatës Speciale e që për 1 vit e 4 muaj u mbajt në Hagë.
Sa shumë vuajtje përjetove, pa ndërprerë, e edhe kur shëndeti t’u rëndua e gjendja ishte e pashpresë, t’i mbete ajo grua e fortë e fisnike, ajo motra e heronjve që e ka lidhë fatin, dhimbjen dhe krenarinë me vëllezërit që besnikërisht vazhdonin t’i bëjnë roje lirisë dhe atdheut tonë.
Motrës Kimete po i themi lamtumirë sot, por dhimbja për humbjen e saj, është e madhe, e thellë sa deti.
Motër Kimete, është e vështirë kjo ndarje, për familjen tënde, për bashkëshortin tënd, Milaimin, për djemtë dhe vajzat, Qëndrimin e Besianën, për Labrionin e Alsën, për vëllezërit e tu Fadilin dhe Nebihun, për motrën tënde, Fahrijen, për nipat dhe mbesat, që të donin shumë e i doje pa masë. Ishe grua e fortë, qëndrestare dhe nënë e mrekullueshme, një familjare që le pas një familje të shëndoshë, që le pas dhimbjen dhe mallin për ty, mungesën që do ta ndiejnë në çdo hap.
Është dhimbje edhe për bashkëluftëtarët e veprimtarët e vëllezërve tu, për të gjithë ata burra e gra që dhanë kontribut për lirinë e atdheut.
Dhimbja për humbjen e një gruaje si ti, motër Kimete, ndihet kudo ku ka liridashës, kudo ku ka atdhetarë, kudo ku ka shqiptarë që luftuan e punojnë për atdheun tonë.
Bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve, miqve e shokëve të idealit, vëllezërve Fadilit dhe Nebihut, familjes Fazliu e Podvorica, si dhe të gjithë atyre që e njohën Kimeten, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe!
Kujtimi për Kimete Fazliun do të mbetet i gjallë te të gjithë ata që e njohën. Ajo do të kujtohet si grua e fortë, burrneshë, qëndrestare, fisnike e dinjitoze, që mbajti mbi supe peshën e një historie të rëndë, por që nuk u thye kurrë.
Dritë pastë shpirti i saj!
I qoftë i lehtë mbi varr dheu i tokës shqiptare!
U prehsh në paqe, motër, nënë dhe grua e mirë, Kimete Fazliu-Podvorica!
…
Dumosh, 16 qershor 2026



