Flet bjeshkatarja Mula që shpëtoi nga sulmi i sotëm në veri të Kosovës

09 maj 2021 | 21:24

Bjeshkatarja e grupit “Kosovo Mountain Club”, Arineta Mula, ka treguar se si u sulmuan nga serbët në veri të Kosovës.  Ajo ka thënë se deri në momentin kur kishte ndodhur ngjarja grupi i alpinistëve shqiptarë kishin përfunduar gjysmën e rrugës, derisa shton se një serb u kishte dhënë ndihmë në shteg dhe ishte përshëndetur me grupin.

“Të shtënat e zjarrit nga dy persona që ishin veç 5 metra përballë nesh në sekondat e para më ngjallën ndjenjën e luftës, pastaj e brengosur për të tjerët dhe vazhdimi pa u ndal me plumba na dha bindjen që po vinin pas nesh. U larguam shpejt duke u kthyer nga kishim ardhur. Deri në atë pikë ku u sulmuam kishim realizuar 3,5 km të ecjes apo gjysmën e ecjes së planifikuar duke kaluar dy fshatra. Deri në fshatin e fundit në drejtim të majës Shijak i Bubes na u dha ndihmë për shtegun nga një banor serb i cili na mirëpriti duke përshëndetur të gjithë, pas disa minutash u sulmuam nga serbë të tjerë”, ka thënë ajo.

“Pas atyre të shtënave situata u qetësua sa më shumë largoheshim. I përgëzoj të gjithë bjeshkatarët që u treguan të matur dhe pa panik.

Plani i ecjes ndryshoi për shkak të sulmit. Ne vazhduam ecjen për në Majën e Mprehtë 1789m, Shala e Bajgores”, përfundoi Mula.

Ndryshe, pjesëtarë të grupit të shqiptarëve prej rreth 40 personave nga “Kosovo Mountain Club” kanë arritur ta incizojnë momentin kur dy persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Luan Rama Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe…