FMN-ja parasheh se rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 3.8 për qind

05 prill 2024 | 12:53

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Sebastian Sosa, ka vizituar Prishtinën gjatë periudhës 18-27 mars 2024, për diskutime mbi rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Pas diskutimeve virtuale shtesë të misionit me autoritetet, Sosa ka lëshuar këtë deklaratë:

“Ekipi i FMN-së dhe autoritetet e Kosovës arritën dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimit të dytë të SBA-së dhe RSF marrëveshjeve. Zbatimi i programit vazhdon të jetë në rrugën e duhur, me përmbushje të të gjitha caqeve kuantitative të fundit të dhjetorit 2023 dhe me avancim të kënaqshëm në agjendën e dakorduar të reformave strukturore. Pas aprovimit nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, i cili pritet të bëhet në gjysmën e dytë të muajit maj, përfundimi i rishikimit të dytë do të vë në dispozicion 13.35 milionë SDR shtesë (16.34 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe 7.74 milionë SDR (9.47 milionë euro) në kuadër të RSF-së”, është thënë në deklaratë.

Sipas kësaj deklarate, autoritetet janë shprehur se synojnë të vazhdojnë trajtimin e SBA-s si masë e kujdesit paraprak.

“Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, përkundër mjedisit të jashtëm sfidues. Rritja reale e BPV-së u ngadalësua në 3.3 për qind në vitin 2023, pas zbutjes së rritjes ekonomike te partnerët kryesorë tregtarë dhe shtetet me prani më të madhe të diasporës. Inflacioni ka rënë ndjeshëm si pasojë e uljes së çmimeve të lëndës së parë, duke arritur në 2.2 për qind në krahasim me vitin paraprak në muajin shkurt”, është thënë në deklaratën e FMN-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës,…