Forcat e NATO-s të përgatitura të intervenojnë në Kosovë

31 korrik 2022 | 23:32

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Të dielën, rrugët janë bllokuar edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komnat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës, raporton Rel.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti…