Formimi i Komitetit Qendror dhe i rretheve të NDSh-së

24 tetor 2018 | 11:02

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Procesi Gjyqësor i Prizrenit më 1946, sipas dokumenteve të gjykatave ish-jugosllave. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: 6 veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg)

Duke hulumtuar dosjen e organizatës së NDSh-së hasim edhe në një listë të veçantë të anëtarëve të cilët udbashët nuk kanë arritur që t’i arrestonin, e çka është e vërteta, ishte një numër goxha i madh. Po ashtu, në dosje janë edhe emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror të ONDSh-së dhe të Komitetit të Rrethit në Prizren, Komiteti i Rrethit në Rahovec, Komiteti i Rrethit në Suharekë. Personat që kishin qenë të propozuar në komitetet e vendit në rrethin e Rahovecit, të Suharekës e në vende të tjera dhe jepej në formë të shkurtuar edhe formimi i organizatës ilegale Nacional-Demokratike Shqiptare në Kosovë dhe Aktiviteti i Komitetit Qendror nga themelimi deri në ditën kur u zbulua.

Formimi i organizatës ilegale Nacional-Demokratike Shqiptare në Kosovë

Organizata fillimisht u zbulua në qytetin e Prizrenit. Kjo organizatë për ta fituar besimin e shpejtë të popullatës dhe për të angazhuar në radhët e veta sa më shumë anëtarë, kishte marrë emrin e një organizate e cila kishte ekzistuar qysh në vitin 1923 dhe 1924 në Shqipëri, e cila në programin e vet kishte për qëllim eliminimin e dy organizatave të tjera që vepronin në atë kohë, siç ishte: Nacional Radikale dhe organizata e Zogut, dhe mbi të gjitha kishte karakter të bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare.

Në Kosovë organizata fillimisht kishte filluar të vepronte me ndihmën e anglezëve. Në Prizren kishte ardhur Mehdi Elezi, ish-oficer artilerie, që kishte punuar në Shqipëri, nga rrethi i Dibrës, dhe vinte nga një familje e njohur dhe e respektuar dhe shumë atdhetare. Ai në Prizren kishte ardhur si njeri i Inteligjent Servisit më 1942, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë së Vjetër. Gjatë tërë veprimtarisë së tij në Prizren ishte shoqëruar me njerëzit autoritativë dhe vazhdimisht ishte marrë me punë tregtare. Shokët më të ngushtë dhe bashkëpunëtorët e tij ishin Hasan Rema dhe Halim Spahija. Duke e ditur influencën e pakontestueshme të Halim Spahisë ai shoqërohej me të dhe kishte ndikim te popullata. Pas takimeve dhe bisedave që kishte pasur me popullatën, diku në vitin 1943, u paraqit për herë të parë Organizata ilegale “Komiteti Nacional Demokratik” në Kosovë. Për të formuar organizatën në Kosovë ishte angazhuar Sylejman Riza dhe tre bashkëmendimtarë të tij siç ishin: Shefqet Shkupi, Rexhep Krasniqi dhe Haki Taha. Por duhet përmendur se në këtë organizatë ndikim të madh gjatë okupimit kishte Halim Spahija.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Halim Spahija ishte angazhuar në Pushtetin Popullor si kryetar i Këshillit të Rrethit në Prizren, duke i pasur pranë vetes vazhdimisht Hasan Remën dhe Tahir Dedën, duke zhvilluar paralelisht edhe aktivitet të dendur në organizatë, por duke mos shkëputur lidhjet me Mehdi Elezin në Tiranë dhe dr. Rexhep Borjen, gjykatës dhe të tjerët. Lidhjen në mes të organizatës në mes të Shqipërisë dhe Kosovës e mbante Hasan Rema. Të gjithë të lartpërmendurit bashkërisht kishin formuar Komitetin Qendror, me qendër në Prizren, duke e pagëzuar Komiteti Qendror Nacional Demokratik dhe ishin caktuar anëtarët e komitetit: Tahir Deda, Halim Spahija, Feim Ibrahimi dhe Hasan Rrustemi. Komiteti Qendror fillimisht direktivat i merrte nga Shqipëria nëpërmes Hasan Remës.

Qëllimi i komitetit ishte që në çdo cep të Kosovës t’i formonte komitetet e organizatës, duke filluar nga komitetet e rretheve, të komunave dhe të fshatrave dhe të bëhej lidhja me të gjitha ato që ekzistoni si në Prizren dhe Rahovec. Kishin marr për detyrë të formonin edhe grupe luftarake, por që nga Komiteti Qendror të merreshin direktivat.

Aktiviteti i Komitetit Qendror nga themelimi deri në ditën kur u zbulua

Në fillim ishte bërë themelimi i komitetit të rrethit në Prizren nëpërmes anëtarit të Komiteti Qendror, Fehim Ibrahimit, i cili u formua nëpërmes Ali Rizës, kapiten dhe Njazi Alishanit. Udhëheqësit e këtij komiteti ishin: Xhemil Fluku dhe Sefedin Ahmeti, ndërsa anëtarë të tij u caktuan: Kadri Ramadani-Topalli nga Prizreni, Abdyl Hajrullahu, bukëpjekës nga Prizreni, Sinan Hazëri, zdrukthëtar nga Prizreni, Abdullah Hamzë Paljaqi nga Prizreni, Sylejman Mallta, kafexhi dhe Ija Shehu nga Prizreni.

Xhemil Fluku ishte kryetar i komitetit dhe lidhje me grupet luftarake, Sefedin Ahmeti, ishte sekretar i komitetit, kishte lidhje me Sylejman Malltën. Ija Shehu ishte angazhuar për sektorin e propagandës. Abdullah Hajrullahu bënte grumbullimin e drithit për grupet që ndodheshin në male. Sylejman Mallta ishte caktuar instruktor për të gjitha punët në terren. Kadri Ramadani ishte korrier që mbante lidhjet me grupet. Sinan Hazëri ishte caktuar që t’u ndihmojë Sefedinit dhe Sylejman Malltës.

Komiteti Nacional Demokratik i rrethit në Rahovec

Veç kësaj, Komiteti Qendror mbante lidhje të vazhdueshme me Komitetin e Rrethit në Rahovec, që për anëtar kishin njerëzit që ishin të besueshëm dhe mbanin lidhjet me grupet në male.

Komiteti i Rahovecit ishte i përbërë nga këta anëtarë: Kadri Minushi nga fshati Domanek, ishte këshilltar në këshillin e rrethit në Rahovec,  Rifat Krasniqi nga fshati Mamushë nga komuna Mamushë, ishte sekretar i komitetit të rrethit në Rahovec, në veprimtarinë ilegale mbante pseudonimin “Skenderbeg”; Kajtaz Ramadani nga fshati Kijevë, nga komuna Kijevë, ishte kryetar i komitetit të rrethit, me profesion ishte bujk, pas përfundimit të luftës ishte kryetar i Frontit Popullor të Jugosllavisë (JNOF), mbante pseudonimin “Leka”; Ahmet Dërguti ishte arkëtar i komitetit të rrethit në Rahovec, ishte intendent i komandës së vendit në Rahovec. Pseudonimin ilegal e kishte “Hoj”; Vahid Mustafa nga fshati Mamush, komuna Mamushë, me profesion ishte nxënës, ndërsa në kohën e fundit kishte punuar mësues, ishte anëtar i komitetit të rrethit; Sheh Mujedini nga Rahoveci ishte anëtar i komitetit të rrethit, me profesion punëtor, pseudonimin e kishte “Jemeni”.

Komiteti Nacional Demokratik i rrethit në Suharekë

Komiteti Qendror gjatë një kohe të shkurtër kishte formuar komitetin e rrethit edhe në Suharekë, në përbërje të të cilit ishin:  Qamil Jemini nga fshati Mushetishtë, merrej me bujqësi. Gjatë okupimit ishte kryetar i komunës, ishte anëtar i komitetit  të rrethit; Ibrahim Abdyli nga fshati Budakovë, komuna Sopi, me profesion ishte bujk, ishte anëtar i komitetit të rrethit; Muhamet Veseli nga fshati Reçan, komuna e Suharekës, merrej me bujqësi, ishte anëtar i komitetit të rrethit;  Sadik Peçani nga fshati Peçan, komuna e Suharekës, me profesion bujk, anëtar i komitetit të rrethit.

Katër anëtarët e lartpërmendur kishin marrë përsipër t’i formonin edhe komitetet komunale edhe nëpër fshatra. Po ashtu, për t’i formuar komitet të rrethit në Gjilan, Ferizaj e Kaçanik, e kishte marrë përsipër Basri Sallkoviqi, por nuk mundi t’i realizojë detyrat e marra ngaqë u zbulua nga organet e pushtetit.

Duhet përmendur se si lidhje në mes të Komitetit Qendror dhe komitetit të rrethit të Rahovecit ishte i angazhuar edhe Hoxhë Maliqi, po ashtu në të ishte i angazhuar edhe Avdyl Rexhepi i cili shkruante shkresa të ndryshme për komitetin, por të cilat edhe i ruante me një kujdes të madh.

Direktivat e Komitetit Qendror të NDSh-së

Direktivat e para që ia kishte dhënë Komiteti Qendror komiteteve të rretheve ishin këto: 1. Grumbullimi i të gjitha të dhënave lidhur me të vrarët dhe të pushkatuarit nëpër fshatra dhe komuna, emrin e mbiemrin, nga ishte dhe sa vjet kishte;

  1. Që urgjentisht të formohej një këshill i ngushtë i përbërë nga 6-7 veta, që të marrin dhe t’i kryejnë detyrat aq sa munden.

a). Me marrë dhe me shkrua parulla, nga komitetet e rretheve e deri tek komitetet që vepronin në fshat. b). Asgjë nuk guxon të ndërmerret në komitete e fshatra pa lejen e komitetit të rrethit, dhe në komitetet e rrethin pa lejen e komitetit qendror. Dhe, vetëm me lejen e KQ-së mund të ndërmerret ndonjë aksion. c). Asnjë lëvizje nuk bën të bëhet pa urdhrin e KRR dhe të KQ-së. Komiteti i rrethit gjithnjë duhet të jetë në lidhje me lëvizjen nga jashtë. Edhe lëvizja nga jashtë nuk bën të ndërmarrë diçka pa lejen e KQ, dhe vazhdimisht duhet të jetë e gatshme për aksion. Çdo lajm dhe çdo informatë duhet t’u vihet në dispozicion komiteteve të rretheve po qe se detyrat nuk mund të kryhen nëpërmes burrave, është e natyrshme dhe e obligueshme që sa më shumë të organizojnë dhe aktivizojnë gra në organizatë.

Formacionet ushtarake mund të veprojnë të pavarura në raste të jashtëzakonshme

Të gjitha forcat ushtarake të cilat veprojnë në terren janë përgjegjëse para komandantit i cili do t’i ndaj në dhjetëshe e qeta, po ashtu edhe qendra duhet të punojë si një komandë e veçantë. Në raste të jashtëzakonshme mund të ndodhë në togje e qeta, të cilat ndodhen në situata të veçanta kur nuk mund të marrin urdhra nga qendre. Në ato raste ato mund të punojnë sipas direktivave të udhëheqësit në raste po qe se janë të rrethuara nga organet e ndjekjes apo diçka të ngjashme. Por, pas daljes nga kjo situatë, urgjentisht duhet lajmëruar qendrën për vendndodhjen e tyre etj. Ky obligim vlen edhe për furnizimin me gjëra ushqimore, të cilat duhet kërkuar nga komanda qendrore, ngaqë furnizimi bëhej vetëm nëpërmes kësaj. Asnjë marrëveshje nuk bën të lidhet në mes të Drazhistve, po ashtu edhe me komunistë, të cilët luajnë rolin e drazhistave për t’u futur në lëvizjen ilegale, për ta njohur për së afërmi lëvizjen dhe forcën e saj. Për çdo kërkesë bashkëpunimi që vjen nga ana e tyre, duhet njoftuar qendrën, ndërsa qendra informon më lart. Qendra  mban mbi vete që ta bëjë lidhjen në mes të çështjeve të lartpërmendura.

Pikat e lartpërmendura duhet të lajmërohen dhe t’i jepen Qendrës në Prizren, nga aty do të merrej shifra, emrat do të ndërrohen për të gjithë anëtarët e KQ-së. Po ashtu, duhet të vihet kontakt me anëtarët e Partisë Komuniste, me qëllim që nga ata t’i mësojmë qëllimet e tyre për organizatën dhe anëtarët e tyre.

Çdo qendër duhet ta ketë dhe ta sigurojë listën e spiunëve shqiptarë e serbë të cilët janë maskuar dhe po maskohen nën një petk tjetër.

Komiteti Qendror, pasi e kishte kryer organizimin në terren, kishte kryer edhe këto punë: Anëtarin e vet të kryesisë, Rexhep Kabashin, Tahir Deda e kishte futur në radhët e Partisë Komuniste, i cili kishte për qëllim dhe detyrë, që të depërtojë sa më thellë në fshehësit dhe ta zbulojë konspiracionin e saj. Ai ishte angazhuar që me një punë të vullnetshme ta fitonte besimin e saj dhe pa u vërejtur fare nëpërmes Rexhepit, kishin rënë në kontakt me grupet e Drenicës. Rexhep Kabashi ishte personi më i përshtatshëm për ta dërguar në Drenicë radiostacionin për nevoja të ilegales. Po ashtu, KQ nëpërmes tij kishte ardhur deri te të dhënat e rëndësishme për të pushkatuarit dhe të vrarët e kësaj ane.

Komiteti i Rrethit në Prizren e kishte furnizuar me ushqime dhe veshmbathje grupin e Ali Rizës dhe Njazi Alishanit me gjëra të nevojshme si në ushqime, veshmbathje dhe armatim të nevojshëm. Po ashtu, këtyre grupeve iu kishin dërguar në përkrahje edhe shumë fshatarë të kësaj ane.

Edhe Komiteti i Rrethit në Rahovec iu kishte ndihmuar me gjëra materiale dhe me angazhimin e njerëzve në qetat e Ukë Sadikut. Ndërsa komitetet e tjera të rretheve në këtë periudhë ishin ende të paformuara por, megjithatë, individë të caktuar kishin bërë grumbullimin e emrave të të vrarëve dhe të pushkatuarve të kësaj ane. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, sot do të merr pjesë…