Fortesa Orana: Synoj pjesëmarrjen në Olimpiadë

06 janar 2020 | 12:03

Lojërat Olimpike janë ngjarja më e rëndësishme sportive në botë. Aty ku çdo sportist garon për një medalje, e që është kurorëzimi i një pune 4-vjeçare. Vitin e ardhshëm këto lojëra pritet të organizohen në Tokyo.

Aty ku edhe shumë sportistë nga Kosova synojnë të jenë të pranishëm dhe të luftojnë për medalje. Një ndër sportistet që është duke synuar të marrë pjesë në këto lojëra është edhe karateistja Fortesa Orana, e cila është duke punuar me përkushtim të madh që ta arrijë normën dhe ta përfaqësojë sportin e karatesë në këtë ngjarje. Orana vitin 2019 e ka cilësuar të suksesshëm për të dhe sportin e karatesë, kështu duke veçuar disa gara në të cilat ka marrë pjesë duke arritur rezultate të favorshme.

“Viti 2019 ka qenë një vit i veçantë. Garën që më ka veçuar dhe që ka qenë një sukses mjaft i madh për mua, ka qenë Kampionati Evropian që është mbajtur në Madrid të Spanjës. Aty jam renditur në pozitën e pestë në Evropë dhe fati nuk deshi që të stolisem me medalje, edhe pse kam qenë shumë afër. Ka qenë një garë mjaft e fortë, një ëndërr e imja që të jem pjesë si medaliste, por referimi nuk ka qenë shumë i drejtë për mua, duke cekur që me garuesen spanjolle isha duke fituar 2:0, e në fund më diskualifikuan me vërejtje pa ndonjë arsye”, ka thënë Orana për “KosovaPress”.

Orana si dhe sportistët e tjerë hasin në shumë probleme, më së shumti në aspektin financiar, duke mos arritur të marrin pjesë në shumë gara ndërkombëtare pikërisht për shkak të këtij problemi. Si pasojë e financave ajo ka humbur pjesëmarrjen në tri premierë liga.

“Po hasim në shumë probleme, duke pasur parasysh që tri premierëliga nuk i kemi ndjekur për shkak të financave. As Federata nuk ka mundur të na bëjë zgjidhje. Në Madrid kam shkruar me mjete të miat që jam munduar t’i gjej në Komunën e Gjilanit. Nuk duhet të ketë këso lloj probleme një sportist që synon medaljen e artë ose një sportist që synon olimpiadën. Mendoj se duhet t’i kthejnë sytë kah ne, nga sporti i karatesë, sepse kemi talente”, ka shtuar ajo. Ndërsa sa i përket vitit 2020, Orana ka deklaruar: “Synimet e mia për vitin 2020 janë shumë të mëdha, si krejt sportistët, por edhe në sportin e karatesë. Është Evropiani. Është Olimpiada. Është Botërori. Jam duke u munduar shumë që të jem pjesë e Olimpiadës. Jam afër dhe jam potenciali më i madh për të qenë e kualifikuar në Olimpiadë. Kualifikimet më të rëndësishme janë në Paris dhe, nëse e arrij vendin e parë ose të dytë, shkoj direkt në Olimpiadë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Durrësit ka parandaluar një tragjedi ditën e djeshme…