Pesë ditë pasi humbi ndjenjat, trajneri i Bayern Munichut del nga spitali
Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka dalë nga spitali, ka konfirmuar të mërkurën asistenti i tij, Aaron Danks, pesë ditë pasi humbi ndjenjat gjatë një seance stërvitore.
Kompany po ndiqte një seancë stërvitore të ekipit rezervë të klubit kur ndodhi incidenti, të premten e kaluar.
Duke folur pas fitores 6:1 të Bayernit ndaj Magdeburgut në Kupën e Gjermanisë, Danks ka thënë se ende nuk ka një datë konkrete për rikthimin e Kompanyt në punë.
“Është padyshim një hap vërtet pozitiv në rrugën e tij drejt rikuperimit”, ka thënë Danks lidhur me daljen e Kompanyt nga spitali.
“Ai mund të kthehet në shtëpi tani, të jetë më afër familjes së tij dhe të ndihet më rehat në shtëpinë e tij, por është ende shumë e rëndësishme që të pushojë dhe të shërohet”, ka shtuar ai.
Danks ka bërë të ditur se nuk ka folur me Kompanyn prej disa ditësh.
“Shëndeti i tij është përparësia jonë numër një dhe ai është ende në fazën e rikuperimit. Prandaj, duam që ai të rikuperohet plotësisht, të jetë në formë të plotë fizike dhe më pas të na bashkohet”, ka thënë Danks.



