Fotografia e shtatzënës së plagosur në Ukrainë fiton çmimin e vitit

20 prill 2023 | 15:39

Fotografia e një gruaje shtatzënë në qytetin ukrainas të Mariupolit, e cila shihet duke u larguar nga materniteti, për shkak të sulmeve ruse, është shpallur fotografia më e mirë e vitit në gjithë botën.

Në fotografinë e realizuar nga fotografi i agjencisë Associated Press, Evgeniy Maloletka, Iryna Kalinina, 32-vjeçare, shihet duke dalë nga rrënojat, pas shkatërrimit të spitalit.

Kalinina dhe foshnja e saj kanë vdekur pak kohë pas sulmit.

“Juria beson se kjo fotografi tregon absurditetin e tmerrit të luftës”, ka thënë juria në ceremoninë e ndarjes së çmimit.

“Ky është një prezantim i saktë i ngjarjeve të vitit, dhe dëshmi se krimet e luftës janë duke u kryer nga forcat ruse kundër civilëve ukrainas”, raporton Rel.

Maloletka dhe kolegu i tij Mstyslav Chernov, kanë kaluar gati tri javë duke dokumentuar tmerret e luftës në Mariupol.

“Për mua, kjo është fotografia që dua ta harroj. Por nuk mundem”, ka thënë ai përmes një video-incizimi.

“Shpresoj që gjithë puna që kemi bërë, do të ndihmojë që njerëzit të kuptojnë. Ndoshta do të përdoret në ndonjë rast kundër krimeve ruse të luftës”.

Moska e ka fituar kontrollin e Mariupolit në pranverën e vitit të kaluar, pas përleshjeve të rënda.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…