Fushata e korrje-shirjeve në Gjilan fillon më 10 korrik

04 korrik 2022 | 17:25

Komuna e Gjilanit do ta fillojë fushatën e korrje-shirjeve më 10 korrik. Këtë njoftim e ka dhënë kryetari i komunës, Alban Hyseni, pas takimit që ka pasur me kombajnerët dhe fermerët së bashku me nënkryetaren Leonora Morina-Bunjaku e drejtorin e Bujqësisë, Bajram Isufi.

Kryetari Hyseni, në një takim online, i ka siguruar fermerët për rritjen e mbështetjes së vazhdueshme për ta me të gjitha kapacitetet komunale.

“Njëra prej zotimeve tona ka qenë që të bëjmë një databazë të të dhënave. Këtë databazë tashmë e kemi siguruar, e kemi hartuar një listë dhe i kemi të dhënat e kontaktet e secilit prej jush. Ajo çfarë na duhet tash është që databazën ta plotësojmë edhe me informacione të tjera, siç është nevoja e mjeteve të punës”, ka thënë kryetari Hyseni.

Nënkryetarja e komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka thënë se duke e marrë parasysh faktin se fermerët kohët e fundit janë ballafaquar me stuhi dhe me breshër, subvencionimet nuk do të mungojnë as nga Ministria e Bujqësisë, as nga Drejtoria e Bujqësisë e Gjilanit.

Kurse drejtori për Bujqësi në Gjilan, Bajram Isufi, ka konfirmuar se është gjithçka gati për ta filluar fushatën e korrje-shirjeve më 10 korrik.

Ai ka bërë me dije se kombajnerët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me çmimin që është vendosur për ta nga Ministria e Bujqësisë, duke shfaqur shpresën që në ditët në vijim do të pajtohen për një çmim më të arsyeshëm.

“Si komision komunal do ta mbikëqyrim dhe do t’i monitorojmë korrje-shirjet. Do të jemi pranë fermerëve dhe kombajnerëve. Shpresoj që ky vit të jetë më i mirë dhe të ketë më shumë bereqet”, ka thënë Isufi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se projekti i…