G7 kërkon zgjatjen e armëpushimit në Gaza

29 nëntor 2023 | 12:24

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gazë.

Përmes një deklarate për media, G7 tha se pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës dhe lehtësimin për lirimin e të gjitha pengjeve të marra nga Hamasi – grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Çdo përpjekje duhet të bëhet duke u siguruar mbështetja humanitare për civilët… Ne mbështesim zgjatjen e mëtejme të kësaj pauze dhe pauzat e ardhshme duhet të lejojnë që ndihma të rritet dhe të lehtësohet lirimi i të gjitha pengjeve”, është thënë në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të G7-s.

Armëpushimi aktual mes Izraelit dhe Hamasit, grup radikal që udhëheq me Gazën, është armëpushimi i parë pas shtatë javësh luftë, që ka rrafshuar Rripin e Gazës dhe ka lënë të vrarë mbi 15.000 persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.

Një helikopter me pengje të liruara nga Hamasi, mbërrin në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve Schneider në Petah Tikva, Izrael, të dielën 26 nëntor 2023.

Lufta Izrael-Hamas u nxit pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke zënë peng afër 240 të tjerë.

Armëpushimi aktual parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Në deklaratën e G7-s po ashtu u mirëprit lirimi i pengjeve nga Hamasi.

Hamasi ka liruar edhe 12 pengje të tjera më 28 nëntor, ndërkaq Izraeli ka liruar 30 të burgosur palestinezë. Armëpushimi aktual pritet të përfundojë të enjten.

Numri i përgjithshëm i pengjeve të liruara që nga e premtja – kur nisi armëpushimi – është 81, ndërkaq Izraeli ka liruar 180 të burgosur.

“Ne si G7 bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e G7-s.

Në deklaratë po ashtu u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por po ashtu u tha se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët dhe të respektohen ligjet ndërkombëtare”.

Ministrat e G7-s thanë po ashtu se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata po ashtu kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej.

Në G7 bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se nga prokuroritë themelore  janë…