Ukraina përgatitet për takime kyçe me aleatët, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë
Derisa bisedimet për paqe po hasin në vështirësi dhe sulmet ajrore ruse po vazhdojnë, Qeveria e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përgatitet për dy takime të rëndësishme me aleatët këtë javë: takimin e të ashtuquajturit Grupi i Ramsteinit, i cili do të pasohet nga një takim i Koalicionit të Vullnetit.
Këto takime do të mbahen në një kohë kur Rusia nuk po jep asnjë shenjë gatishmërie për t’i dhënë fund luftës.
“Do të mbahet një takim i Ramsteinit, i cili duhet të sjellë rezultate”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes, të publikuar me video më 15 nëntor, duke iu referuar takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është planifikuar të mbahet më 17 nëntor në Bruksel.
“Ky takim do të dërgojë mesazh të fortë për Rusinë, se Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje”, ka shtuar Zelensky.
I njohur jozyrtarisht si Grupi i Ramsteinit, ky grup bashkërendon mbështetjen ushtarake për Ukrainën nga aleatët perëndimorë. Takimin e ardhshëm do ta udhëheqin ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Lideri ukrainas ka thënë se synimet kryesore të Kievit janë forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit, përfshirë sigurimin e raketave dhe sistemeve shtesë Patriot, si dhe të sistemeve kombëtare të avancuara të raketave kundërajrore, NASAMS.
“Kërcënimi nga raketat balistike ruse mbetet shumë serioz dhe ne kemi të dhënat e inteligjencës që tregojnë se po përgatiten sulme të reja”, ka thënë Zelensky.



