Gabimet e politikës shtetërore ndaj turizmit në Kosovë

03 mars 2020 | 11:56

Shkruan: Erzen Gjonbalaj

Kur fituesi i çmimit Nobel, Herman Hese, u mundua të sqarojë se problemet e reja nuk mund të zgjedhën në mënyra të vjetra, më në fund u kujtua ta gjejë zgjidhjen e këtij problemi dhe atë e shprehu përmes thënies: ‘Zogu del nga veza, veza është bota’. Pra, ai që duhet të lindë duhet të shkatërrojë një botë. Mund të thuhet se Hese kishte të drejtë sepse shfrytëzoi kualitetin për ta prekur thelbin e problemit.
Një ndër problemet të cilat mbetën pa hyrë në thelbin e tyre për më shumë se njëzet vjet është fenomeni i turizmit në Kosovë. Ndoshta me “Ardhjen e ditës” do t’u mundësohet aktorëve të procesit të turizmit, qofshin teorik apo praktik, ta shfrytëzojnë kualitetin e tyre për ta prekur këtë fenomen i cili, në suazat botërore, është i shpërndarë në përmasa të gjëra dhe mund ta hasim sot në çdo cep të tokës.
Pse ngeci ky fenomen pa marrë atë çka meriton, mendojmë se problemi ishte në radhë të parë te qasja e politikës shtetërore ndaj këtij fenomeni.

Gabimi më i madh është moskuptimi, çka do të thotë me të vërtetë të udhëhiqet politika turistike e një vendi gjegjësisht moskuptimi i përmbajtjes të atyre detyrave që duhen të kryhen.
Çdokush që gjendet në pozita të tilla duhet të kuptojë se kemi të bëjmë me detyra shumë të ndërlikuara të cilat janë të lidhura me përgjegjësi të mëdha. Sipas rregullave të shkruara, politikën turistike të çdo vendi duhet ta udhëheqë organi kompetent shtetëror (ministria) dhe me siguri personi në nivelin më të lartë hierarkik që është ministri. Në Kosovë një gjë e tillë nuk ekziston por, përkundrazi, është një fenomen i cili vazhdoi duke degraduar turizmin si aktivitet ekonomik në nivelin më të lartë shtetëror.
Dikur, edhe pse nuk ishin ndoshta rrethanat që të ketë një resor ministror i cili do të merrej vetëm me çështjen e turizmit, ekzistoi Departamenti për Hoteleri dhe Turizëm në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Po t’i referohemi mënyrës së udhëheqjes së politikave të turizmit në vendet e rajonit dhe më gjerë, shohim se një pjesë të kompetencave organet më të larta qeveritare që merren me politikat e turizmit e delegojnë drejt organizatave kombëtare turistike të cilën Kosova as që nuk e ka. Dështimet në drejtimin e turizmit kanë ardhur si mungesë e organeve të tilla të politikave ekzekutive turistike (organ qeveritar) dhe atyre organizativo-propaganduese (Organizata Kombëtare Turistike) apo nga mungesa e njerëzve kompetentë të cilët do mund t’i jetësonin aspektet shkencore në udhëheqjen me aktivitetet turistike në nivelin kombëtar.

Në një kompleks të dështimeve do të duhej të përmendet, sipas mendimit tonë, se disa cilësi dhe karakteristika të tjera që merreshin për bazë që nuk kanë të bëjnë fare me turizmin dhe ishin vendimtare për t’i zgjedhur udhëheqësit të cilët drejtonin turizmin e Kosovës, siç ishte rasti me emërimin e drejtorit te Departamentit për Hoteleri dhe Turizëm në konkursin diskriminues të prillit 2007 i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me lëmin e ekonomisë e lërë më atë të turizmit. Puna e prijësit, drejtuesit të organit më të lartë të fushës të turizmit është punë si të gjitha punët e tjerat, por ajo ka specifikat e veta jo vetëm të ketë kualifikime formale, por duhet të ketë aftësi dhe shkathtësi. Së fundi të ketë përvoja specifike në punët e një fushë të tillë. Për fat të keq, ato përvoja dhe shkathtësi nuk i pati asnjëri nga drejtuesit e organit më të lartë qeveritar sa ishte Departamenti për Hoteleri dhe Turizëm dhe ky, ndoshta, ishte shkaku se një organ i tillë u “avullua” dhe mbeti si ngushëllim i tij vetëm Divizioni i Hotelerisë dhe Turizmit.

Me të vërtetë ka qenë vështirë të pritet më shumë kur për emërime të tilla kanë vendosur personat që nuk kanë asgjë të afërt me turizmin, njerëzit politikë të cilët me dije apo pa dije këtë e bëjnë nga pozicioni politik. Tek ne të jesh politikan do të thotë viafactiçka, do të thotë t’i njohësh të gjitha fushat e jetës njerëzore, pra, je ekspert i të gjitha atyre fushave, dmth. edhe për turizmin, edhe pse në fakt nuk je.
Si shembulli më i mirë i dështimit dhe fillimi i të keqes në drejtimin e fenomenit të turizmit në mënyrë institucionale ishte përzierja e politikës në zhvillimin e turizmit në Kosovë përmes ndërhyrjes në emërimet profesionale që kanë të bëjnë me politikat madhore zhvillimore, shtetërore dhe mospranimi i një programi që ishte për momentin pa alternativë me mundësi të jetësimit deri në 80 për qind i prezantuar para panelit intervistues në prill të vitit 2007. Mospranimi i këtij programi lirisht mund të thuhet se ishte diskriminim i llojit të veçantë dhe çka ishte më e keqja, asnjëri nga anëtarët e panelit intervistues nuk i takonte fushës së ekonomisë.

Peizazhi i bukurive natyrore të Alpeve Shqiptare, pika e tretë e kufirit (KS – AL -MNE). Natyra i dhuroi këto bukuri të cilat njeriu nuk po mund t’i valorizojë. /Foto 08.02.2020. Enes Psk Hrid Drešković)

Ky ishte plani i aktiviteteve që planifikoheshin të realizohen në periudhën 2007 e këndej në Departamentin për Hoteleri dhe Turizëm pranë MTI-së:
– Zbatimi i politikave të cilat janë prioritete të qeverisë – MTI-së në pikëpamje të zhvillimit të turizmit;
– Përgatitja (përpilimi) e strategjive dhe planeve për zhvillim të turizmit në nivel kombëtar-shtetëror;
– Aplikimi i mekanizmave ligjorë dhe kontrollues për t’i mbrojtur turistët, formimi i inspeksioneve turistike të cilat do ta kontrollonin punën e objekteve të cilat ofrojnë shërbime hotelerie si dhe agjencitë turistike;
– Avancimi i sistemit të edukimit në shkollat e drejtimit të turizmit dhe hotelerisë, me qëllim të plotësimit të nevojave gjithnjë e më të mëdha për burime njerëzore në turizëm dhe hoteleri. Bashkëpunimi me bizneset e ndryshme turistike në qendrat e turizmit si në Ulqin ashtu edhe në qendrat turistike në Shqipëri me qëllim të aftësimit të burimeve të reja njerëzore për punë në turizëm, “kadetëve” të rinj për punë në hoteleri dhe turizëm gjatë zezonës turistike, nxitja e interesimit për nxënësit të cilët kanë suksese të larta gjatë shkollimit paraprak që të kyçen në këtë lëmë;
– Hulumtimi i tregut turistik dhe krijimi i statistikave turistike reale;
– Bashkëpunimi ndërkombëtar në lëmin e turizmit, vënia e kontakteve me destinacionet e njohura turistike në rajon dhe më gjerë, t’u marrim diçka nga arritjet e tyre. (Kryesisht kërkim i mbështetjes nga Republika e Kroacisë);
– Vendosja e sinjalistikës turistike në pjesët e rëndësishme, në nyjat e rëndësishme rrugore, në hyrje të shtetit (mundësisht të gjendet një donator nga jashtë, në shumë raste projektet e tilla janë mbështetur nga donatorët e jashtëm si, p.sh., në Mal të Zi; – Kujdesi për atraktivitetet turistike kulturore (turizmi kulturor), kujdesi për ruajtjen e monumenteve historike nga e kaluara dhe nga periudha e fundit – lufta e fundit (turizmi historik dhe turizmi morbil, për fat të keq u shkatërruan shumë, sidomos faktet nga burgu i Dubravës);
– Organizimi i aktiviteteve promovuese qofshin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes shtyllave të tjera të zhvillimit të turizmit;
– Bashkëpunimi me mediumet, me qëllim që ato të mbështesin me informata, në mënyrë që ato të arrijnë sa më shpejt te shfrytëzuesit e shërbimeve turistike, organizimi i emisioneve të karakterit edukativo-arsimor nga lëmi i turizmit sidomos turizmit rural; – Aktivitete të tjera që mbështesin krijimin e ofertës turistike;
– Kërkimi për Brendin turistik, me të cilin Kosova do të dallohej nga destinacionet e tjera turistike;
– Aftësimi i popullatës lokale për t’u kyçur në rrjedhat e procesit të planifikimit dhe zhvillimit të turizmit rural, kulturor etj. (përmes seminareve dhe trajnimeve të ndryshme);
– Aftësimi-edukimi i animatorëve të turizmit rurar dhe integrimi i tyre me mjedisin ku duhet të zhvillohet turizmit rural (kryesisht pjesët rurale të Kosovës);
– Krijimi i një programi shtesë edukativo-arsimor për nxënësit e shkollave në fshat me qëllim që ata të marrin njohuri për vlerat e fshatit të tyre, komunës së tyre me qëllim që të aftësohen për punë në një veprimtari ekonomike e cila premton (turizëm rural, kulturor, shëndetësor etj);
– Organizimi i manifestimeve me karakter turistik nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës si, p. sh., një i tillë do të ishte “Karnavali i kujtesës së qytetit” të ngjashëm me disa që organizohen në disa qytete të vogla në Evropën Perëndimore dhe në Bregdetin Adriatik, ku do të merrnin pjesë popullata lokale, mundësisht të gjitha komunitetet sipas moshave së ndryshme…;
– Organizimi i panaireve ku do të prezantoheshin krijimtaritë e karakterit turistik dhe kulturor;
– Bashkëpunimi-mbështetja e shoqatave të ndryshme të cilat me aktivitetin e tyre ndikojnë në krijimin e ofertës turistike si shoqatat e gjuetarëve, shoqatat e peshkatarëve, shoqatat e kultivuesve të shpendëve etj. Krijimi i kushteve që Kosova një ditë të shpallet vend i gjuetisë dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të gjuetisë dhe njëherësh të radhitet në destinacionet ekskluzive të turizmit të gjuetisë;
– Pozicionimi i disa zyrave informative të cilat do t’u ofronin turistëve potencialë informata për të cilat ata shprehin interesim;
– Krijimi-publikimi i një “Guide” turistike për turizmin e Kosovës;
– Brengat-kujdesi për ruajtjen e ambientit jetësor (ruajtja e lëndës së parë turistike-ruajtja e llojeve endemike të botës bimore dhe shtazore). T’u kushtohet kujdes më i madh atyre pjesëve të diversiteteve të cilat janë para zhdukjes;
– Zëvendësdrejtori i këtij departamenti të emërohet nga komuniteti serb, me qëllim që më lehtë të penetrojmë në kompleksin turistik në Brezovicë;
– Zyra e departamentit do të zhvendosej në Shtërpce meqë potencialet turistike për momentin ishin të koncentruara aty, pavarësisht se aty popullata vendore shumicë i përket komunitetit serb. Ky fakt u ilustrua me një shembull nga Mali i Zi, gjegjësisht nga Ulqini, i cili me shumicë popullatë shqiptare, resurset turistike i menaxhon Podgorica, çka dmth. se me Brezovicën duhet të udhëhiqet nga Prishtina çka një zonjë nga paneli intervistues e komuniteti serb nuk i pëlqeu një gjë e tillë dhe si pasojë u “diskualifikua”, autori i këtij projekti – kandidatit për kreun e turizmit dhe hotelerisë të asaj kohe dhe kjo ishte arsyeja e mospërfilljes së kësaj ideje dhe që iu komunikua “dikur” gojarisht shumë kohë më vonë nga kryesuesi i panelit intervistues dhe ishte shumë qesharake: “Ia ngrite tensionin zonjës së komunitetit serb”.

(Autori është turizmolog-hulumtues i turizmit erotik dhe turizmit rural. Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë…