Kurti: I bëj thirrje Serbisë të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës

03 mars 2020 | 11:55

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që ta ndalë ofensivën dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Ky reagim i Kurtit ka ardhur pas raportimeve se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës.

“Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së ç’njohjeve së pavarësisë së Kosovës. I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj”.

“Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës. Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumica e shteteve në SHBA mbajnë të martën zgjedhjet paraprake,…