GAP-i thotë se ka ngecje në digjitalizimin e shërbimeve administrative

14 gusht 2019 | 12:51

Në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), u prezantuan të gjeturat e raportit me titull “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e shërbimeve administrative”.

Agron Demi prezantoi të gjeturat e raportit mbi problemin e reformimit të administratës publike, me theks të veçantë ngecjet në ofrimin e shërbimeve administrative në formë digjitale.

Ai ka thënë se edhe në këtë mandat qeverisës, ashtu sikurse edhe në qeverisjet e kaluara, reformimi i administratës dhe digjitalizimi i shërbimeve nuk kanë qenë fare prioritet. “Përkundrazi, administrata publike në vazhdimësi po shkon duke u politizuar, duke degraduar profesionalisht, duke marr gjithnjë e më shumë buxhet të taksapaguesve, e rrjedhimisht duke mos lehtësuar marrjen e shërbimeve për qytetarët”, ka thënë Demi, duke shtuar se përkundër asaj se që nga shpallja e pavarësisë janë aprovuar dhjetëra dokumente strategjike e plane veprimi, shumë nga aktivitetet dhe objektivat e parapara kanë mbetur vetëm në letër. “Çdo vit shpenzohen mesatarisht 10 milionë euro për pajisje dhe sisteme të teknologjisë së informacionit. Por asnjëri nga sistemet e instaluara elektronike nuk është funksional plotësisht.  Qytetarët obligohen që për kryerjen e çfarëdo shërbimi, të dorëzojnë një mori dokumentesh të cilat edhe ashtu janë në pronësi të institucioneve publike. Kësisoj, çdo vit lëshohen mbi dy milionë dokumente nga regjistri i gjendjes civile, qëllimi primar i të cilave është që të dorëzohen prapë tek institucionet për kryerjen e ndonjë shërbimi. Kjo ka bërë që administratat të jenë të mbingarkuara, kurse qytetarët obligohen që të enden nëpër institucione të ndryshme për marrjen e një shërbimi”, ka deklaruar Demi.

Ndërkaq,  Bekim Salihu prezantoi të gjeturat e raportit mbi nivelin komunal. Sipas tij, komunat janë shumë të varura nga niveli qendror sa i përket racionalizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve administrative. “Megjithatë, komunat kanë ndërmarrë vetiniciativë për lehtësimin e shërbimeve administrative, duke instaluar kioske elektronike për nxjerrjen e dokumenteve.  Nga 38 komuna, 19 kanë instaluar kioske elektronike. Por, nga hulumtimi në terren ka rezultuar se nga 42 kioske elektronike që janë instaluar nëpër komuna, më shumë se gjysma e tyre janë jo funksionale. Arsyet më të shpeshta për mos funksionimin e-kioskeve elektronikeve kanë të bëjnë me ndërprerjet e shpeshta të internetit, vendosja e tyre në vende të hapura e të pa mbrojtura nga kushtet atmosferike, mungesa e përkujdesjes dhe mos furnizimi i tyre me rregull me material shpenzues. Këto pengesa, si dhe hezitimi i qytetarëve për t’u shërbyer nga to, kanë bërë që kiosket elektronike të mos e arrijnë qëllimin e synuar”, ka deklaruar ai.

 

/Epoka e Re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se për…