Institucionet shpenzuan 20 milionë euro për reprezentacion, telefona, karburante dhe për mëditje

14 tetor 2019 | 14:37

Instituti GAP ka publikuar shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për mëditje të udhëtimeve zyrtare, telefona mobil, reprezentacion dhe karburante për vetura për vitin 2018. “Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike”, është thënë në komunikatën e GAP-it.

Po ashtu, sipas GAP-it, miliona euro të buxhetit të Kosovës shpenzohen për mbushjen e veturave zyrtare me karburante, mbushjen e telefonave mobilë, e po ashtu edhe për shpenzime të reprezentacionit (ku hyjnë shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare).

“Si shpenzime direkte të ndërlidhura me postet e politikanëve apo zyrtarëve publikë është e rëndësishme të analizohet se sa konkretisht shpenzohet buxheti për këto kategori dhe kush janë shpenzuesit më të mëdhenj. Sipas raportit vjetor financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobil, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45 për qind, për reprezentacion për 18 për qind, për telefona mobil për 30 për qindsi dhe për karburante për 1për qind”, është thënë në këtë komunikatë të GAP-it.

Për disa vite me radhë, instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministreve dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefoni mobile, karburante dhe reprezentacion.

Instituti GAP ka njoftuar se të dhënat për këto shpenzime janë mbledhur përmes kërkesave zyrtare në institucionet përkatëse ngase ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve.

“Në të shumtën e rasteve, një numër i konsiderueshëm i ministrive vazhdojnë të mos përgjigjen në kërkesat tona si për shembull, Zyra e Kryeministrit në tri vitet e fundit është përgjigjur vetëm për shpenzimet e vitit 2017; Ministria e Punëve të Jashtme nuk na është përgjigjur për tri vite me radhë, Ministria e Administratës Publike për dy vite me radhë, Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë është përgjigjur pjesërisht apo nuk është përgjigjur fare”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e GAP-it.

Sipas institutit GAP, duke u bazuar në postet drejtuese, në institucionet për të cilat posedojnë të dhëna, këshilltarët politikë kanë shpenzuar më së shumti për mëditje dhe përdorim të telefonave mobil, kurse zëvendësministrat/et kanë shpenzuar më së shumti për reprezentacion dhe për karburante për vetura.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi Nobel në Shkencat Ekonomike për vitin 2019, u është…