Gashi tregon arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja

28 mars 2021 | 11:58

Xhafer Gashi, pasi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e tij brenda strukturës partiake si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, do të vazhdojë angazhimin e tij si kryetar i Komunës së Obiliqit.

Ai tregon se janë duke punuar në krijimin e një Liste qytetare që do të jetë garuese për zgjedhjet në nivel komunal.

“Për rrugëtimin e mëtutjeshëm tonin, jemi konsultuar mirë me gjithë strukturat prej asamblistëve dhe strukturat tjera të organizuara që kemi qenë, dhe pothuajse pjesa më e madhe kemi kaluar të pavarur për momentin. Dhe jemi duke punuar në krijimin e një liste qytetare që do të ketë konkurruese në nivel lokal dhe do të bëjmë përkujdesje që në vazhdimësi që të punojmë për komunitetin në Obiliq”, thekson Gashi.

Ai po ashtu thekson se dorëheqja e tij vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq.

Përveç kësaj ai thotë se dorëheqja vjen edhe si pasojë e mos realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit.

“Në fakt Obiliqi ka ndryshua dhe shumë punë të mira janë bërë duke falënderuar nivelin qendror në vazhdimësi gjatë shtatë vjet e gjysmë sa kam qenë unë. Mirëpo, arsyeja ka qenë çështja e punësimit në KEK. Ka qenë një nga premtimet që është dhënë në Hade dhe Shipitullë, ndërsa më pastaj ajo nuk është ndjekur deri në fund dhe kjo ka qenë si rezultat I pakënaqësive të një pjesë të madhe të strukturës, e cila pastaj ka reflektuar edhe më dorëheqje”.

I pyetur nëse arsye tjetër mund të jetë humbja e besimit në AAK-në, Gashi tregohet paksa i rezervuar.

Megjithatë falënderon Haradinajn për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë sa ka qenë kryeministër.

Teksa shton se kërkesat e domosdoshme nuk u realizuan.

“Nuk kisha thënë ashtu, e falënderoj edhe qeverinë Haradinaj dhe të gjitha qeveritë që ishin më herët dhe të gjithë aktivistët që kanë kontribuar që unë të jem aty. Por më në fund një nga kërkesat e shumë të domosdoshme, edhe të KEK-ut, edhe të qytetarëve nuk u realizuan”, ka thënë Gashi për Kosovapress.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bajram Mjeku Burri në fotografi është Elez Ramë Gecaj…