Gazetarët në pandemi: Në front të raportimit, larg familjeve

02 shtator 2020 | 22:39

Shkruan Erdonita Hebibi

Në kohën kur të gjithëve na kaploi frika dhe ankthi i Pandemisë COVID-19 që kishte kapur të gjithë botën, e padyshim edhe Kosovën, kur i gjithë vendi tentonte të mbyllej në shtëpi, t’i ruante familjarët dhe veten, kur izolimi në shtëpi u bë pjesë e pandashme e jona në lajmet që dëgjonit, në shkrimet që lexonit, kishte trima dhe trimëresha që dolën në front pa frikë e me kurajo për të raportuar drejtë e saktë.

Dikush nga Gjakova e Gjilani e të tjerë nga Ferizaji e Mitrovica, lanë vendet e tyre, familjet e tyre për të ardhur në vatrën e raportimit, madje disa që udhëtonin e disa që u shpërngulën nga shtëpitë e tyre për të ardhur direkt në Prishtinë që ta kenë më të lehtë punën e tyre por edhe mbrojtjen nga rreziku për familjarët e tyre.

Ardita Rashiti, gazetare në Televizionin T7, e cila kishte përjetuar qëndrimin larg familjes, rrëfen përjetimin e saj sa ka raportuar gjatë pandemisë që vazhdon akoma.

“Gjithçka që përcjellnim e raportonim nuk ishte praktikuar më parë. Ekzistonte rreziku se mund të prekeshim me Covid-19 e kësisoji mund t’i rrezikonim familjarët tanë”, tregon ajo

Ardita mes tjerash kishte vendosur të zgjidhte rrugën më të vështirë për veten por më të mirën për familjen e saj, duke qëndruar vet në Prishtinë për të kryer misionin e saj por pa i parë familjarët e saj.

“Muajt e parë të pandemisë kam qëndruar e vetme dhe larg familjes e që ndikonte edhe në aspektin psiqik gjatë kësaj periudhe të vështirë për gjithë botën, por megjithatë ishte një lloj lehtësimi sepse nuk e kishe frikën që do t’i rrezikonim familjet”, shprehet Ardita.

E historinë më ndryshe e më mirë nuk e kishte edhe Gojart Jashari, gazetar në portalin FaktePlus.net nga qyteti i Suharekës, i shpërngulur në Prishtinë e larg familjes. Raportimi për të në kohë pandemie ishte diçka jashtëzakonisht e papritur, gjithmonë me frikën e infektimit.

Ka qenë situatë e re, jashtëzakonisht e papritur, kam pasur frikën e infektimit kjo ka qenë më e shprehur në fillim më shumë sepse ka qene më i panjohur Covid-i. Por frika është shtuar edhe më shumë kur kam dal me i marr prononcimet dhe ka qenë rreziku potencial që të marr virusin”, thekson mes tjerash Gojarti.

Krahas vështirësive të secilës punë e gjithsesi punës dhe raportimit si gazetar, Gojarti gjithmonë shpreh entuziazmin dhe kënaqësinë e informimit kur të gjithë ishin sy e vesh për të marrë lajmin prej tyre.

“Krahas frikës, gjithsesi ka qenë edhe ajo kënaqësia dhe privilegji që sadopak kam arrit me informu popullatën për gjithçka rreth virusit”, tregon Gojarti.

Pas rrëfimeve të gazetarëve që kanë raportuar gjatë pandemisë, qëndron edhe vështirësia që kanë hasur disa prej tyre për të udhëtuar në kryeqendër, meqë vendbanimet i kishin gjetkë, dhe frika e rrezikimit të familjarëve të tyre. Disa të tjerë madje edhe janë shpërngulur vetëm e vetëm për të mbrojtur familjen.

Edhe pse nuk ka një raport apo statistika të sakta se sa prej gazetarëve kanë udhëtuar në këto kushte pandemie, rrëfimet e tyre tregojnë më së miri punën dhe përgjegjësitë që kanë marrë për të kryer misionin dhe raportimin e tyre.

Për punën e gazetarëve sidomos atyre të rinj dhe që kanë udhëtuar dhe raportimin e tyre të vështirë, flet edhe profesori Milazim Krasniqi, ligjërues në Universitetin.

“Raportimi për pandeminë me definicion bie në raportimin për fatkeqësitë e mëdha dhe katastrofat, që do të thotë se është raportimi më i vështirë. Rrjedhimisht edhe gazetarët e medieve tona që kanë raportuar për pandeminë janë ballafaquar me shumë vështirësi madje edhe me rrezikun real për shëndetin e tyre”, thotë Krasniqi.

Ai shpreh vlerësimin e tij përgjithësisht mbi raportimin me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi të medieve, ndonëse nuk përjashton mangësitë që mund të jenë shfaqur si pasojë e vështirësive të mundshme në raportim.

“Marrë në përgjithësi mediet tona, veçmas televizionet kanë raportuar me pasion, me përgjegjësi dhe me profesionalizëm në të shumtën e rasteve. Pra sa i përket raportimit që ka të bëjë me punën e vetë gazetarëve, mund të vlerësohet që ka qenë raportim kryesisht profesional”, shprehet Krasniqi

Edhe ministri aktual i shëndetësisë Armend Zemaj ka përgëzuar punën e vazhdueshme të gazetarëve gjatë kohës së pandemisë, duke i konsideruar si kategori e rrezikuar nga Covid-19.

“Roli i tyre është jetik sidomos në raportimin e tyre vetëm e vetëm që qytetarët të informohen drejtë dhe saktë, andaj e cilësoj që janë një ndër kategoritë më të rrezikuar nga Covid-19”, ishte shprehur ai.

Disa prej gazetarëve, fatkeqësisht nuk i kanë mbijetuar përballjes me virusin, dhe kanë ndërruar jetë.

Vdekjen e gazetarit me përvojë të gjatë mediale, Musli Berisha e kanë pritur me dhimbje dhe me shumë keqardhje të gjitha institucionet e Kosovës por edhe ish-kolegët e tij, duke shkruar fjalët më të mira dhe të sinqerta në shenjë kujtimi për punën dhe kontributin që ka dhënë ndër vite kulturës dhe gazetarisë.

Afrim Demiri rrëfen me shumë nostalgji dhe të njëjtën kohë me dhimbje për kohët që ka kaluar bashkë me Musliun.

“Për më shumë se tri dekada Musli Berisha ka qenë emër i respektuar dhe i fuqishëm i gazetarisë, jo vetëm ferizajase. Një pjesë të gjatë të këtij rrugëtimi aq sfidues, e kam bërë së bashku me Musën, duke e pasur vazhdimisht një koleg dhe bashkëpunues të mirë profesional. Ai ka sprovuar veten e tij në shumë zhanre të gazetarisë duke filluar në radio, në gazetë, në televizion, si dhe në agjenci lajmesh”, tregon ai.

Lajmi për ikjen e tij nga kjo jetë, e përjetoi rëndë, shumë rëndë.

“Ishte e pabesueshme, që ai ishte dorëzuar! E kisha njohur çdoherë si stoik, ishte edhe më e rëndë, që ai u varros në kushte të pandemisë. Në vend që të përcillej nga qindra, mijëra qytetarë dhe adhuruesve të tij, ai u varros në vetmi të thellë, kurse ne mbetëm të ngujuar në pikëllimin tonë për të”, me dhimbje rrëfen Demiri duke shpresuar që një ditë do të gjejmë kohë dhe hapësirë që të bëjmë homazhe për të ashtu siç e ka merituar.

Halide Rexhepi, gjithashtu gazetare në Front Online portal, rrëfen për punën sfiduese të raportimit duke shprehur edhe shqetësimin për trajtimin e qeverisë ndaj medieve.

Trajtimi ndaj medieve nga ana e qeverisë nuk ka qenë aspak i mirë duke na llogaritur në ‘pakon emergjente’ si biznese e jo duke na stimuluar si kategoritë e tjera. Madje nuk na është ofruar as shansi për testim kur dihet që kemi qenë të rrezikuar”, thekson ajo.

Ajo rrëfen edhe për pamundësinë për të parë familjen dhe udhëtimin e saj Prishtinë-Ferizaj, vetëm gjatë uikendeve.

“Për mua që zakonisht në vikend vizitoja familjen në Ferizaj tashmë kjo u bë edhe më e vështirë për shkak të transportit por edhe për shkak të frikës, se gjatë kontakteve me njerëz mund ta transmetoja tek familja im. Kjo ka qenë një ndër situatat më të vështira për mua si një gazetare e re”, thotë ajo.

Vështirësitë në punë dhe rreziku i shkaktuar nga pandemia vetëm sa ashpërsohej edhe nga gjendja financiare e gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)” së bashku me Shoqatën e Sigurimit të Kosovës (SHSK) gjatë kësaj periudhe kanë ndarë 15 mijë maska e dezinfektues për gazetarë, kamermanë e fotoreporterë.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina thekson rëndësinë e madhe të shpërndarjes së këtyre mjeteve, me qëllim të mbrojtjes së gazetarëve.

Për rëndësinë e të raportuarit sidomos gjatë pandemisë, flet edhe Emina Shala-Hyseni e radios K4.

“Si menaxhere e Radio K4 jam jashtëzakonisht e lumtur që edhe gjatë pandemisë, gazetarët e radios sonë raportuan me profesionalizëm të lartë duke plasuar tek audienca informata të sakta. Madje duke u dhënë këshilla dhe udhëzime që ta kalojnë sa më lehtë situatën që secilit padyshim na duhet në këtë kohë pandemie”, thotë Shala-Hyseni.

Ajo poashtu me shumë krenari flet për sakrificën që ka parë tek gazetarët sidomos ata të rinj dhe ata që kanë udhëtuar dhe qëndruar larg familjeve

“Pavarësisht situatës së vështirë raportimi i tyre nuk ka munguar. Shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësi të jenë pranë familjeve të tyre për shumë muaj, por edhe mundësitë e pushimit i kishin të pakëta. E gjatë kësaj periudhe raportuesit e rinj shpesh herë janë izoluar nga familjarët duke dyshuar se janë të prekur nga virusi”, thotë ajo.

Emina vlerëson punën e gazetarëve gjatë pandemisë, të cilët akoma vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjarëve për të qëndruar në front të lajmit.

“U duartrokas atyre gazetarëve të cilët raportimin e tyre e kanë pasur të saktë, qysh nga fillimi i pandemisë, atyre të cilët evituan panikun gjatë raportimit, si dhe atyre të cilëve sakrifikuan shumë për të ardhur deri tek informacioni i saktë, sepse në fund të fundit një gazetar i mirë është gjithmonë në shërbim të së vërtetës”, thotë ajo.

Ideal Sufaj nga Gjakova, gazetar në Indeksonline.net, gjatë pandemisë ishte shpërngulur në Prishtinë dhe e e kishte të pamundur takimin me familjarët.

“Sa i përket raportimi… ka qenë një ngarkesë edhe më e madhe, me rastet e të infektuarve e me çdo gjë tjetër. Gjithashtu puna e orarit të pasditës ka qenë e mundimshme me masat e vendosura nga qeveria, pasi ju e dini se ndalohet lëvizja natën dhe mua më është dashur që autoriteteve të (Policisë së Kosovës) t’u tregojë bexhin çdo natë për t’ia dëshmuar që punoj si gazetar”, rrëfen ai.

Edhe Lendrit Qeli, moderues dhe realizator i emisionit televiziv “Fokusi Ynë” në Gjakovë, vë theks në ngarkesën në realizimin e emisioneve dhe raportimin e veçantë gjatë periudhës së pandemisë.

“Emisioni televiziv ‘Fokusi Ynë’ që u dedikohet komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nuk kanë qenë edhe të lehta në realizim sidomos në fillim, për shkak të rritjes së panikës, mungesës së maskave dhe shpeshëherë dështimit të mysafirëve për të qenë me kohë në studio”, shprehet ai.

Ai, megjithatë i vlerëson korrekte raportimet gjatë pandemisë korrekte, sepse janë shfrytëzuar shumë burime për një çështje të caktuar.

Ka pasur shumë reagime të ashpra për gjendjen e gazetarëve në këto kohë pandemie, e sidomos lidhur me pakon emergjente, në të cilën është vlerësuar se gazetarëve nuk u është dhënë përkushtimi i merituar. Gjatë pandemisë bizneset i kanë ndërprerë kontratat e reklamimit nëpër media, dhe rrjedhimisht, për shkak të pamundësisë financiare që t’i përballojnë kostot e funksionimit, mediat janë detyruar të largojnë me dhjetra punëtorë.

Në hulumtimin “Përfitimet e punëtorëve nga pakoja emergjente ” të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, thuhet se nga fillimi i pandemisë KDI-ja ka pranuar 19 raste në të cilat punëtorëve të një mediumi, dy prej të cilëve shtatzëna (gazetar, redaktor, staf tjetër) u janë shkelur të drejtat elementare duke u përjashtuar nga puna pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës. Arsye e shkëputjes në të gjitha rastet ka qenë efekti i pandemisë në biznesin që ka bërë që disa pjesë të tyre të mbyllen.

 

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës e ka kryer seancën e fundit stërvitore…