Gazsjellësi, Ukraina dhe Kosova

12 janar 2022 | 15:24

Shkruan: Besfort Rrecaj

Mora me shkas që të shkruaj në lidhje me rolin e gazit, pozicioni gjeografik i Ukrainës, komplikimet dhe involvimi amerikan karshi dominimit rus dhe pse Kosova duhet të ecë përpara me projektin e gazsjellësit të propozua nga Millenium Challenge Corporation. Në një shkrim që kisha botuar më herë kisha shpjeguar rolin e rëndësishëm gjeopolitik të cilën e ka Ukraina dhe atë jo pse ndodhet ndërmjet Evropës Perëndimore dhe Rusisë por për shkak se përmes territorit të saj shtrihen gypat kryesor të gazsjellësit me të cilën Rusia i furnizon vendet e Evropës Perëndimore në masë të madhe Gjermaninë dhe disa vende tjera. Ky pozicion i siguron një levë të madhe Ukrainës karshi një Rusie megalomane dhe autokrate me tendenca hegjemonie në posedim të një arsenali të fuqishëm ushtarak konvencional dhe jo konvencional.

Kjo për arsye se çfarëdo involvimi rus në shkallë më të gjera karshi Ukrainës do të ndikonte në prishjen e rrjedhjes së gazit drejt perëndimit dhe rrjedhimisht shterjen e fondeve përmes të cilave Rusia e furnizon ushtrinë e saj dhe aparatin shtetëror në realizimin e ambicieve të saja kryesisht në fqinjësinë e afërt. Ky është në masë të madhe një faktori kyç i cili e ka frenuar Rusinë që të intervenojë brenda territorit kryesor të Ukrainës me përjashtim të Krimesë të cilën e aneksoni në mënyrë të paligjshme në vitin 2014. Legjitimiteti i kontrollit mbi Krimenë po vazhdon të kontestohet po thuajse nga e gjitha bota. Për herë të parë Evropa kishte përjetuar të ashtuquajturën ‘lufta e parë e gazit’ në vitin 2006. Kjo ishte përsëritur në dekadën e dytë të mileniumit të ri.

Për të dobësuar këtë pozicion strategjik Rusia kishte filluar tashmë e sa vite ndërtimin e gazsjellësit të ri të quajtur si Rrjedhja Veriore synimi kryesor i të cilit është që të anashkalojë problemin Ukrainas dhe të pavarësojë Rusinë nga veprimet eventuale Ukrainës. Ky projekt normalisht është përkrahur nga Gjermani e cila nuk dëshironte që të përsëriteshin krizat e ngjashme për arsye jo politike siç mund të jetë çmimi i lartë i gazit. Sepse në një situatë të tillë, edhe Ukraina do të mund të shfrytëzonte pozicionin e saj për të tregtuar një çmimi më të mirë përmes një kërcënimi të çrregullimit të rrjedhjes së gazit.

Punimet në gazsjellësin Rrjedhja Veriore kanë përfunduar dhe tashmë ka mbetur vetëm lidhja me kyçjen kryesore në Gjermani. Kjo do të paraqiste një përparësi të madhe për Rusinë dhe do t’i krijonte një hapësirë shumë të madhe të manovrimit kundër Ukrainës duke përfshirë edhe ndërhyrjen në shkallë më të gjerë pavarësisht deklaratave mbështetës e të NATO ndaj Ukrainës.

Në një kohë kur fati i Ukrainës do të vuloset në nivel afatgjatë, nëse do të afrohet me shtetet euro-atlantike apo do të mbetet nën ndikimin rus, SHBA-të tashmë një kohë të gjatë kanë targetuar pikërisht gazsjellësin Rrjedhja Veriore dhe kompanitë e ndërlidhura me të duke i future ne listën e sanksioneve. Në të njëjtën kohë SHBA-të i kanë tërhequr vërejtjen Gjermanisë që të kenë kujdes me veprimet dhe lidhjen me këtë gazsjellës.

Përmes këtyre veprimeve, SHBA-të po përpiqen që të mbajnë pozicionin më të mirë të mundshëm të Ukrainës karshi hegjemonisë ruse dhe së bashku me tregimin e përkrahjes ndaj Ukrainës në rast të një konflikti eventual të shmangë sa më shumë që është e mundur një veprim të dëmshëm rus në shkallë të gjerë karshi Ukrainës. Ky pozicion amerikan karshi Rrjedhjes Veriore do të mbahet sigurish deri në zgjidhjen përfundimtare të fatit të Ukrainës dhe vështirë se do të shohim rrjedhje të gazit në Rrjedhjen Veriore deri atëherë.

Cili është konteksti në raport me Kosovën dhe pse Kosova do të duhej të rishqyrtonte vendimin për ndërtimin e gazsjellësit me përkrahje të MCC?

Për te elaboruar më çartë dhe shkurt

  1. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji, kërkesa botërore për gaz natyror do të rritet të paktën për 30% deri në vitin 2040. Kërkesën për gaz natyror e lehtëson edhe më shumë vendimi i ditëve të fundit i BE-së përmes të cilit gazi natyror etiketohen si burim i gjelbër i energjisë d.m.th. miqësor me mjedisin.
  2. Vendet e Evropës në përgjithësi dhe konkretisht Gjermania do të jetë një nga vendet të cilat do të kenë rritje të kërkesës për gaz.
  3. Gazi është një mjet i cili mund të përdoret nga shtetet si alternativë e mirë ndaj burimeve fosile të energjisë shumë ndotëse si kurse qymyri me ç’rast do të ndikonte në arritjen e kërkesave për uljen e dioksidit të karbonit në masën e para vitit 1990.
  4. Gazi natyror do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë të gjitha shtetet për të bërë një ballanc karshi nevojave për zhvillim të shteteve të pazhvilluara në njërën anë dhe konsideratave ndaj mjedisit në anën tjetër.
  5. Gazi është po ashtu një mjet përmes të cilit shtetet projektojnë forcë, duke marrë parasysh që siguria energjetike është shqetësimi kryesor i secilit shtet. Rrjedhimisht, pavarësia energjetike dhe diversifikimi i burimeve të energjisë duhet të jetë prioriteti kryesor i shtetit sepse kjo siguron një zhvillim ekonomik.

Duke i marrë parasysh pikat si më lartë oferta amerikane përmes MCC-së që të financohet ndërtimi i gazsjellësit I cili do të furnizonte Kosovën me gaz nga kompani të qëndrueshme dhe serioze jashtë kontrollit të shteteve autokratike por të cilat i nënshtrohen kushteve të tregut të lirë do të duhej të shihej si shumë i mirëseardhur. Kjo do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike dhe pavarësinë e Kosovës nga qymyri si një element aspak i mire ndaj mjedisit.

Gjithsesi, gazi natyror do të duhej të shihej si pjesë e planit të përgjithshëm energjetik të Kosovës, në mesin e burimeve tjera si qymyri që do të duhej të vazhdonte të funksiononte sipas parametrave të pranueshëm ndërkombëtar mjedisor deri në një periudhë kur përfundimisht do të ndalohej prodhimi i energjisë nga qymyri në rast të mungesës së teknologjisë për djegien e tij brenda parametrave të miqësores me mjedisin.

Këtu duhet të llogariten edhe të burimet tjera të energjisë si uji, era, dielli etj. por të cilat nuk kanë ndonjë kapacitet aq të madh për t’u përgjigjur kërkesave të ekonomisë së Kosovës. Kjo do të ndikonte në pavarësinë energjetike të Kosovës, diversifikim të burimeve energjetike dhe arritje të parametrave ndotës në një shkalle të madhe sipas standardeve ndërkombëtare.

(Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Suharekë, i ka caktuar…