Gentiloni përballë Parlamentit Europian, flet për ngadalësimin ekonomik

03 tetor 2019 | 15:22

Kandidati për komisionerin e ardhshëm ekonomik të Bashkimit Europian, Paolo Gentiloni, premtoi angazhime të përshtatshme fiskale për t’i bërë ballë rreziqeve  të një ngadalësimi ekonomik të rajonit.   Në një seancë përballë deputetëve të Bashkimit Europian, italiani Gentiloni përsëriti se do të përdorë hapësirë të lejuar nga rregullat fiskale të Bashkimit Europian për të lejuar qeveritë që të investojnë më shumë në mbështetje të rritjes ekonomike. “Do përqëndrohem në reduktimin e borxhit publik.  Unë do përpiqem gjithashtu të përdor një hapësirë të përshtatshme fiskale për t’i bërë ballë rreziqeve nga ngadalësimi ekonomik.  Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë përmasën dhe kohëzgjatjen e ngadalësimit, që të arrijmë një dakordësi për qasjen fiskale”, u shpreh  Komisioneri i ardhshëm ekonomik, Paolo Gentiloni, shkruan “scantv”.

Ai shtoi se taksat minimale korporative përbëjnë një nga mjetet e mundshme për të trajtuar konkurrencën e ashpër tatimore mes shteteve të Bashkimit Europian. Gentiloni tha se Komisioni i ardhshëm do të vendosë për qasjen fiskale të Eurozonës pasi të publikojë projeksionet e reja ekonomike në Nëntor.

Bashkimi Europian ka një qasje fiskale kryesisht neutrale, pavarësisht kërkesës së disa vendeve për plane të shpenzimeve, për ti bërë ballë ngadalësimit ekonomik.  Komisioneri i ardhshëm ekonomik tha se rekomandimet e Komisionit do të bazohen në seriozitetin dhe kohëzgjatjen e ngadalësimit ekonomik.

Ai bëri gjithashtu thirrje për një plan ambicioz të financimit për një skemë të Bashkimit Europian të sigurimit të papunësisë.  Blloku ka debatuar së fundmi nëse do ta financojë këtë skemë me kredi apo me grante ndaj shteteve që kanë nivele të larta të papunësisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar pjesët e para në dy ndeshjet e javës…