Gërxhaliu: Letra e Guvernatorit për ‘The Economist’ në momentin e duhur

12 shkurt 2021 | 13:52

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka kërkuar përfshirjen e Kosovës si shtet, në gazetën prestigjioze “The Economist”.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu tha se diplomacia e Kosovës në disa raste ka qenë jo funksionale dhe e vonuar për të promovuar Kosovën dhe realitetin e krijuar pas viteve 1999, e në veçanti pas shpalljes së pavarësisë. “Kosova është anashkaluar në shumë iniciativa dhe adresa prestigjioze, siç është edhe Gazeta ‘The Economist’. Rëndësia e promovimit të informatave ekonomike, lidhur me Kosovën është e pakontestuar dhe në këtë drejtim duhet të jemi aktiv që të jemi pjesë e partneritetit, jo vetëm ekonomike, por edhe gjeostrategjike”, u shpreh ai.

Sipas Gërxhaliut, letra e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, është mjaft e qëlluar edhe në dimensionin kohor, por edhe përmbajtjesor dhe me plotë të drejtë ai ka kërkuar nga drejtuesit e “The Economist” që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera në seksionet përkatëse të gazetës. “ Duhet të kuptohet se kjo gazetë është një burim i rëndësishëm i analizave mbi biznesin ndërkombëtar dhe çështjet botërore, ku vëmendje e veçantë në vazhdimësi i është kushtuar edhe rajonit të Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës, por për fat të keq nuk është e përfshirë dhe nuk është e prezantuar në mënyrë të drejtpërdrejt që lexuesit e kësaj gazete të kenë informata nga Kosova dhe jo këto informacione të merren nga shteti fqinjë, Serbia”, theksoi ai.

Kjo letër, sipas tij dëshmon rëndësinë e BQK-së dhe rolin e guvernatorit Mehmeti, jo vetëm që avancon partneritetin dhe monitorimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Qendrore Evropiane, por edhe hulumtimin e informacioneve makro dhe mikroekonomike me rëndësi për ta promovuar Kosovën, si rasti me “The Economist”. “Kjo është arsyeja që BQK-ja, duhet të ketë mbështetje në forcimin e Departamentit të të Dhënave Ekonomike dhe të promovohet si adresë, kredibile, fleksibile dhe profesionale. Po ashtu më gëzon fakti që më parë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka marrë mbështetje të pakontestuar dhe të vazhdueshme nga Banka Qendrore Evropiane, e veçanërisht nga drejtoresha e Christine Lagarde, e cila i ka dërguar edhe një letër mbështetje BQK-së, si banka e vetme që mbështetet në vendet e Ballkanit perëndimor për fusha të caktuar të kreditimit”, deklaroi Gërxhaliu.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerëson se Kosova duhet ta forcojë diplomacinë ekonomike dhe ajo duhet të jetë në funksion të zhvillimit të shtetit e në veçanti në promovim të mundësive për të investuar në Kosovë dhe lobim të përmirësimit të imazhit të Kosovës.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja e LV-së për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se…