Giresse: Lojtarët tani duan ta mbrojnë vendin e tyre për shkak të historisë që ka Kosova

08 shkurt 2023 | 16:27

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Alain Giresse, në një intervistë për “100 % Girondins sur France Bleu Gironde” ka folur për ekipin e Kosovës, për lojtarët dhe për ambiciet që i ka me “dardanët”.

Fillimisht ai tregoi për fillimin e “flirtimit” me Kosovën që kur ishte trajner i Senegalit. “E kam njohur këtë vend që kur isha ftuar për një vizitë, 10 vjet më parë.

Kur isha selektor i Senegalit e propozova një miqësore me Kosovën, edhe para pranimit të Kosovës në FIFA”, ka deklaruar fillimisht ish-futbollisti i njohur francez. “Ne jemi në gjendje të mirë dhe gjithçka po shkon mirë te Kosova. Të gjithë janë të gatshëm dhe në dispozicion për të punuar. Çdo gjë që e kërkoj, e kam atë. Mund të them se lojtarët janë vërtet të vlerësuar në nivelin human dhe mjaft të respektueshëm për rolin që e kanë në këtë ekip”, ka vazhduar Giresse.

Ai ka zbuluar më shumë rreth lojtarëve të Kosovës, ndërsa ka folur edhe për objektivat që i ka me ekipin. “Ne e kemi Zhegrovën apo Zenelin të cilët luajnë në Francë. Nuk kam probleme për ta menaxhuar këtë ekip. Ata përmbahen dhe dëgjojnë. Ekziston një shpirt i mirë dhe pozitiv aty. Lojtarët janë të shpërndarë nëpër Evropë, asnjëri prej tyre nuk luan në vendin e tij”, ka shpjeguar Giresse. “Ka lojtarë si kapiteni jonë i cili po shkëlqen në Napoli (Amir Rrahmani), i cili e ka një dimension të gjerë. Ka edhe lojtarë të tjerë që luajnë në Spanjë, e kemi një nivel të kënaqshëm. E mbyllëm Ligën e Kombeve mirë. Tash do të shkojmë ta sfidojmë veten në betejën e re”, ka shtuar tutje francezi. “Kosova është pranuar në FIFA para gjashtë vjetësh, është një ‘firmë e re’, e ka një Federatë të re, e cila është duke u strukturuar, në kushte pune nuk ka asgjë për t’u ankuar. Gjërat janë të organizuara mirë, çdo gjë është e planifikuar dhe kushtet janë mjaft të mira. Dhe, lojtarët që janë në një cikël profesional tani duan ta mbrojnë vendin e tyre për shkak të historisë së këtij vendi”, ka përfunduar Giresse.

Kosova do t’i nisë kualifikimet e “Euro 2024” në mars të këtij viti dhe do t’i mbyllë ato në muajin nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë i cili ishte i gjallë pranë gruas së…