Gjashtë palestinezë dhe dy izraelitë vriten në Bregun Perëndimor

07 janar 2024 | 15:36

Tetë persona u vranë më 7 janar në Bregun e pushtuar Perëndimor, përfshirë gjashtë palestinezë të cilët u shënjestruan nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite, thanë burimet në të dyja palët.

Dhuna në Bregun Perëndimor ka shpërthyer që kur nisi lufta katër muaj më parë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Forcat izraelite kryejnë vazhdimisht bastisje në Bregun Perëndimor, veçmas në Xhenin dhe në një kamp të refugjatëve në këtë qytet.

“Në një bombardim të okupatorit, Izraelit, ndaj një grupi qytetarësh u vranë gjashtë persona në Xhenin”, tha Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Autoriteti Palestinez.

Ushtria izraelite tha se “gjashtë terroristë u vranë kur një avion sulmoi terroristët të cilët hodhën mjete shpërthyese” ndaj trupave gjatë një operacioni në kampin e refugjatëve në Xhenin.

AFP-ja raportoi se gjashtë personat që u vranë gjendeshin jashtë kampit në momentin e sulmit.

Policia tha se një police izraelite u vra gjatë një operacioni në kampin e refugjatëve në Xhenin.

“Ajo [policja] ishte në një makinë operacionale që u godit nga një mjet shpërthyes”, tha policia izraelite, duke shtuar se edhe tre zyrtarë të tjerë u plagosën.

Në një incident tjetër në veri të Ramallahut, një civil izraelit është qëlluar për vdekje, tha ushtria, duke shtuar se janë në kërkim të sulmuesit.

Agjencia zyrtare e lajmeve palestineze, Wafa, raportoi mëngjesin e së dielës se në Xhenin janë dislokuar një numër i madh i forcave izraelite.

Bastisjet e ushtrisë izraelite në zonën e Xheninit shpesh nxisin beteja të armatosura mes trupave dhe militantëve palestinezë.

Ushtria izraelite tha se në bastisjen e fundit ka shënjestruar “terroristët”, por Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se shumicë civilë janë në mesin e të vrarëve.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967. Afër 3 milionë palestinezë jetojnë në Bregun perëndimor, që po ashtu banohet nga 490.000 kolonë izraelitë.

Që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas më 7 tetor, të paktën 327 persona janë vrarë në Bregun Perëndimor, qoftë nga ushtarët apo kolonët izraelitë, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë./rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partizani po vazhdon të përforcohet dhe ta ketë një ekip…