Gjashtë vjet nga firmosja e deklaratës për bashkëpunim dhe partneritet strategjik të Kosovës dhe Shqipërisë

13 janar 2020 | 11:16

Sylë Ukshini

Më 11 janar u mbushën 6 vjet nga mbledhja e parë ndërmjet dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila jetësonte vullnetin, aspiratën dhe angazhimin e shumë brezave për realizimin e projekteve të përbashkëta me karakter strategjik dhe afatgjatë. Ky takim shënon një kapitull të ri në historinë e dy shteteve ngaqë për herë të parë në Prizren u firmosë Deklarata për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje konsiston në këto shtylla kryesore: Politika e Jashtme dhe e Sigurisë; Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme; Ekonomia, Energjia, Transporti, Turizmi dhe Mbrojtja dhe Mjedisit; Kultura, Arsimi dhe Shkenca. Ky partneritet strategjik, i themeluar gjashtë vjet më parë, tejkalon mandatet e qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë dhe përbën një partneritet strategjik afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Duhet shtuar se ky dokument ishte vazhdimësi e Protokollit të Bashkëpunimit Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë i nënshkruar më 15 mars 2013, në Tiranë, që ravijëzon objektivat e një bashkëpunimi dypalësh, të intensifikuar dhe shumëdimensional. Po ashtu, ky protokoll i përgatitur nga ekipet e MPJ-së së Kosovës dhe të Shqipërisë mbulonte fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh, por nuk mbulon dispozitat ligjore përkatëse, burimet financiare dhe mbështetjen administrative.

Isha i privilegjuar që së bashku me disa specialistë të kabineteve të MPJ-së në Prishtinë dhe në Tiranë të jem pjesë e grupit punues për përgatitjen, sinkronizimin dhe harmonizimin e propozimeve të Protokollit dhe të Deklaratës për Bashkëpunim Strategjik dhe i gjithë agjendës së takimit historik të Prizrenit. Në këtë kuptim, me aktin e nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik nga të dy qeverive u materializua angazhimi i ndërsjellë dhe afatgjatë për shndërrimin e marrëdhënieve tona bilaterale në një model të ri, në përputhje me praktikat e konsoliduara në rajon dhe më gjerë.

Po ashtu, mendoj se, krahas bilancit të mbledhjeve të deritanishme, është koha për ndryshimin e formatit të takimeve të tilla, në vend të mbledhjeve sa për efekt mediatik, duhet të ketë takime me sa më shumë përmbajtje, ku do të identifikoheshin sektorët strategjikë dhe do të merreshin vendime të duhura për evitimin e të gjitha barrierave dhe burokracive që frenojnë jetësimin e vullnetit politik nga të dyja anët. Mbi të gjitha, në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, kur Beogradi vazhdon agresionin politik dhe diplomatik ndaj Republikës së Kosovës, dhe gjithnjë duke iu referuar dokumentit për partneritet strategjik, dy vendet tona duhet ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, si dhe koordinimin më efikas dhe proaktiv në funksion të koordinimit të përpjekjeve dhe aksionit diplomatik për afirmimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të identitetit shtetëror dhe pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përmes shtimit të numrit të njohjeve, anëtarësimit në organizatat rajonale, evropiane e globale, si dhe integrimit të plotë të saj në sistemin ndërkombëtar, me synimin final anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Partneriteti strategjik Kosovë – Shqipëri synon të jetë model për rajonin dhe një prioritet i integrimit evropian, si instrumenti më efektiv për stabilitetin, paqen dhe progresin dhe mirëqenin e rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Bedri Islami Nuk besoj se ka diku tjetër një…