Gjatë muajit korrik në Kosovë u importuan mallra me vlerë 306.3 milionë euro

21 gusht 2020 | 14:36

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2020.

Sipas ASK-së, të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-11.0 për qind) në muajin korrik 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 263.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 296.4 milionë Eurosh, sa ishte në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 13.9 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2020 kishte vlerën 42.6 milionë Euro, ndërsa importi 306.3 milionë Euro, që është një rritje prej 5.4 për qind për eksport dhe një rënie prej (-9.1 për qind) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 32.6 për qind të eksporteve përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.2 për qind të eksporteve përbëhen nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.2 për qind të eksporteve përbëhen nga artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8 për qind të eksporteve përbëhen nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4 për qind të eksporteve përbëhen nga produktet bimore; 4.8 për qind të eksporteve përbëhen nga produktet minerale; 3.8 për qind të eksporteve përbëhen nga tekstili dhe artikujt prej tij,  etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.6 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 9.0 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Ndërkaq, s ai përket eksportit të Kosovës me vendet e BE-së, sipas ASK-së, eksportet arritën në 18.6 milionë euro, ose rreth 43.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.7 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Italia (12.4 për qind), Gjermania (8.9 për qind), Austria (6.0 për qind), Holanda (3.8 për qind), etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 141.4 milionë Euro, ose 46.2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0 për qind), Italia (5.8 për qind), Greqia (4.0 për qind), Polonia (3.1 për qind),  etj. “Në muajin korrik 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.0 milionë Euro, ose 40.0 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.2 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.5 për qind), Maqedonia (9.7 për qind), Serbia (8.9 për qind), dhe Mali i Zi (2.1 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin korrik 2020, arritën në 65.0 milionë Euro, ose 21.2 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.6 për qind), Maqedonia (6.3 për qind), dhe Serbia (6.2 për qind).  Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.8 milionë Euro, ose 16.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.8 për qind).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 99.8 milionë Euro, ose 32.6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2 për qind) dhe Kina (9.6 për qind)”, është thënë në raport.

(A.M/ Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me moton “Pse kafet po e bibliotekat jo”, Lëvizja studentore…