Gjermania e paralajmëron Serbinë për pasoja nëse rreshtohet me Rusinë

01 nëntor 2022 | 16:55

Gjermania e ka paralajmëruar Serbinë për kultivimin e lidhjeve të thella me Rusinë, duke paralajmëruar se ajo mund të pengojë synimin e Serbisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ka thënë për “AFP”-në një burim i qeverisë gjermane të martën.

Dy ditë përpara një samiti të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin gjerman që synon të forcojë marrëdhëniet me gjashtë vendet e rajonit, zyrtari i lartë ka thënë se Beogradi duhet të vendosë në anën e kujt ishte: Moskës apo BE-së.

“Marrëdhënia me Serbinë është komplekse – ka dritë dhe hije. Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë janë sigurisht pjesë e hijeve”, ka thënë burimi, i cili foli në kushte anonimiteti për “AFP”-në.

Burimi ka thënë se qeveria gjermane ishte, për shembull, “e habitur dhe e zhgënjyer” kur ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq në shtator ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, duke rënë dakord të bisedonte për politikën e jashtme.

Zyrtari gjerman ka thënë se ishte koha që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të kalojë gardhin.

“Nëse ai merr rrugën për në Evropë, do të ketë mbështetje nga BE-ja në tërësi dhe nga qeveria gjermane”.

“Nëse ai zgjedh rrugën tjetër, kjo do të ketë pasoja për të ardhmen e Beogradit me BE-në”, ka thënë zyrtari.

Serbia ka qenë kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që nga viti 2012, por perspektivat e saj shihen si të zymta pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Beogradi nuk e pranon shpalljen e pavarësisë së Kosovës me shumicë shqiptare në vitin 2008.

Tensionet janë përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, me shumë serbë që janë dashamirës ndaj aleatit tradicional, Rusisë.

Beogradi e ka dënuar pushtimin e Ukrainës në Kombet e Bashkuara, por ka refuzuar të përafrohet me sanksionet evropiane ndaj Moskës.

Samiti i së enjtes në Berlin i organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz do të mbledhë së bashku krerët e qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe liderët e BE-së.

Pjesëmarrësit nga Ballkani Perëndimor duhet të nënshkruajnë tre marrëveshje: për njohjen reciproke të dokumenteve të identitetit, diplomave universitare dhe kredencialeve profesionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Visar Bekaj, portieri i Tiranës, ishte pjesë e emisionit “Koha…