Gjermania mbështet Kosovën me 2 milionë euro për Qeverisjen e Mirë Financiare

15 maj 2019 | 11:13

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, kanë nënshkruar sot marrëveshjen implementuese për fazën e IV të projektit të Qeverisjes së Mirë Financiare, në vlerë prej 2 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, dhe drejtori i GIZ-it për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut David Oberhuber, në praninë e sekretarit gjeneral të Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi dhe udhëheqëses së projektit për Qeverisje të Mirë Financiare Kadri Jogiste.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo marrëveshje parasheh mbështetje direkte në formë të asistencës teknike për Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj si dhe për Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe njësitë mbështetëse të tyre.

“Faza IV e projektit pritet të implementohet përgjatë periudhës 2019-2020. Andaj në fazën IV të këtij projekti e mirëpresim ndryshimin e qasjes së projektit, që të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të punojë së bashku me të gjitha departamentet e përfshira në procese të caktuara të Menaxhimit të Financave Publike”, ka thënë ministri Hamza.

Ndërsa, ambasadori Christian Heldt ka theksuar se njëri nga sukseset për të cilat e përgëzojnë Qeverinë e Kosovës është lansimi i portalit të transparencës buxhetore.

“Që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 2009, qëllimi i këtij projekti ka qenë forcimi i qeverisjes së mirë financiare të Kosovës me theks të veçantë në llogaridhënien, transparencën dhe efektivitetin në procesin e punës. Duke u bazuar në bashkëpunimin tonë të suksesshëm me Ministrinë e Financave, Kuvendin e Kosovës dhe Administratën Tatimore, Qeveria Gjermane dhe GIZ presin me padurim fazën e re të projektit”, ka thënë Heldt.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ben Affleck dhe Jennifer Garner kaluan pak kohë me fëmijët…