Gjermania mohon të ketë hequr vizat e punës

16 korrik 2023 | 22:38

Nëpër shumë media online po qarkullojnë informacione se Gjermania po përgatit ndryshime ligjore për të lehtësuar edhe më shumë procedurat për ata qytetarë të shteteve të treta që synojnë të shkojnë në punojnë atje.

Në informacionin në fjalë thuhet se institucionet gjermane planifikojnë që personat të cilët duan të punojnë në Gjermani për 90 ditë, të mund ta bëjnë diçka të tillë pa vizë pune. Megjithatë, nga ambasada e Gjermanisë në Shkup thonë se rregullat janë të njëjta dhe për çdo lloj vendi pune nevojitet vizë.

“Ju informojmë se përtej ndryshimeve të miratuara të Ligjit për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar nuk ka ndryshime të mëtejshme të mundësive të deritanishme për fillimin e një pune. Parimisht vlen: Për çdo lloj vendi pune nevojitet vizë”, njoftojnë nga Ambasada e Gjermanisë, Shkup.

Me apo pa rregulla të ndryshuara, të rinjtë vazhdojnë të gjejnë rehatinë në shtetet evropiane, kryesisht në Gjermani. Procedurat për vizë punë rrjedhin shpejt dhe shumë qytetarë braktisin vendin në kërkim të një jete më të mirë, siç bën edhe ky i ri që priste para ambasadës gjermane për terminin e tij për vizë, i cili nuk deshi të flasë para kamerës.

Pse vendos të shkosh atje?

“Për arsye se ka më shumë mundësi për rininë, ka më shumë shpresa”.

Çfarë të dëshpëron më shumë?

Po kërkojnë punëtorë, ama rregullat e punës nuk i plotësojnë siç duhet. Për shembull rrogat, siguria në punë, shëndetësia, respekti ndaj punëtorëve.

Çfarë do të doje të ishte ndryshe në Maqedoni?

“Të ketë më shumë drejtësi”.

Tek ambasada gjermane kishte ardhur edhe një prind, i cili njërin djalë tashmë 10 vjet e kishte në Gjermani, ndërsa tjetri po priste aprovimin e vizës.

“Për djalin për në Gjermani që të shkojë të punojë, për vizë pune”.

Sa kanë ikur prej këtu?

“Të dy djemtë kanë ikur. E ka mbaruar fakultetin dhe menjëherë ka ik për në Gjermani, djali i madh. I dyti tani shkon. Sepse s’kanë ku të punësohen, rrogat janë të vogla. Shkurt e shqip ekonomia, rrogat e dobëta, aty është puna, sepse po të kenë rrogë të mirë, askush nuk ik. Askush nuk i përzë fëmijët për të dal jashtë. Nuk kam qejf të dalin jashtë, por kushtet e bëjnë të vetën”, u shpreh Shafi Selmani- prind.

Zbrazjen e vendit më qartë e vërejnë ata të cilët i transportojnë këta qytetarë deri në Gjermani. Fejzulla…., shofer autobusi, thotë se numri i pasagjerëve nga hera në herë rritet dhe ata kryesisht janë të rinj.

“Në këtë linjë jam pothuajse tre vjet. Numri i udhëtarëve është gjithmonë në rritje”.

Cila grup moshë udhëton më shumë?

“Dihet se rinia. Po ata gjithmonë thonë se shkojnë për një jetë më të mirë. Në listë kemi 60 pasagjerë, por ne jemi tre autobusë. Autobusët tjerë nuk e di. Kanë marrë Tetovën. Ne marrim Shkupin, Kumanovën. Dikush që ka dhimbje familjarë e shpreh mërzinë. Po shumica shkojnë për një jetë më të mirë. Thonë se këtu s’bëhet mirë, s’bëhet mirë, s’bëhet mirë”, tha një shofer autobusi.

Largimi kryesisht i të rinjve, por edhe qytetarëve të grup moshave të tjera ka bërë që në vend të ketë mungesë punëtorësh kryesisht në gastronomi, por edhe në shumë profesione të tjera. /Alsat.mk

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që Toka po ndryshon vazhdimisht nuk është sekret dhe zbulimi…