Gjermania: Shpallja e organizatave terroriste në veri u bë pa koordinim me ne

30 qershor 2023 | 12:43

Pas ShBA-së, edhe Gjermania është deklaruar në lidhje me shpalljen e dy organizatave serbe si organizata terroriste nga qeveria e Republikës së Kosovës.

Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, ka thënë për Klankosova.tv se vendimi është marrë pa koordinim me Gjermaninë.

Madje thuhet se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada për Klankosova.tv.

Në përgjigje thuhet po ashtu se duke qenë dëshmitarë të krizës aktuale në komunat veriore të vendit, “një koordinim i afërt me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”.

“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Ndërkaq, në njoftimin e vendimit për shpalljen e “Mbrojtjes Civile/Civilna zaštita” dhe komponentën e saj “Brigada e Veriut/Severna brigada” si organizata terroriste, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, tha se vendimi është marrë në koordinim me aleatët.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.

Edhe Shtetet e Bashkuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy grupeve serbe nga veriu si organizata terroriste.

ShBA-ja, përmes një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, i ka thënë Klankosova.tv se ky veprim u mor pa koordinim me ta dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar ky zëdhënës, në pyetjet dërguar nga Klankosova.tv.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka pritur në…