Gjilani ndan bursat për 12 studentët e ekselencës

11 shkurt 2020 | 14:34

Komuna e Gjilanit ka ndarë bursa për 12 studentët e ekselencës, në kuadër të Fondit të ekselencës “Pak nga ne, shumë për ata III”, të krijuar me iniciativë të kryetarit të kësaj komune, Lutfi Haziri.

Këto bursa janë bërë publike të martën nga Haziri dhe kryetari i klubit rotarian “Gjilani”, Shpëtim Miftari, pas takimit me tre nga 12 studentët e ekselencës, Rilind Ramadani, (Gerogia State University, ShBA), Valdrin Jonuzi (University of San Francisko, ShBA) dhe Dafina Abdyli, studente e ardhshme në kiminë inxhinierike.

“Këta djem e vajza e kanë bërë punën vetë, sepse me dije, përkushtim dhe angazhim, kanë arritur t’i bindin universitetet se kanë kapacitete për shkollim universitar, në nivelet e shkollave më të mira. Edhe në sistemin parauniversitar, ne mbështesim djem dhe vajza, të cilët kanë treguar aftësi të veçanta në mësimnxënie, duke i përgatitur si kuadro të reja”, ka deklaruar Haziri, një konferencën për gazetarë.

Haziri i ka siguruar ata se kjo mbështetje do të jetë deri në përfundim të studimeve, duke shtuar se ky është njëri prej programeve që Komuna e Gjilanit e ka filluar bashkë me klubin rotarian “Gjilani”.

Ndërsa kryetari i klubit të rotarianëve “Gjilani”, Shpëtim Miftari, ka thënë se ata në vazhdimësi mundohen ta ndihmojnë komunitetin, me të gjitha kapacitetet.

“Në këtë kontekst, ne me kënaqësi i jemi bashkuar Komunës në mbledhjen e fondit për bursat e ekselencës. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me kryetarin Haziri edhe për mbledhjen e fondeve të tjera”, ka thënë Miftari.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jurgen Klinsmann ka jep dorëheqje nga detyra e trajnerit në…