Gjilani nis vlerësimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi

12 maj 2020 | 12:59

Një ekip i Gjilanit që përfshinë edhe institucionet regjionale është duke i bërë vlerësimet për dëmet që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

Ekipit në fjalë i prinë Valbona Tahiri, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik, derisa pjesë e tij janë edhe Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike, drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, drejtori ekzekutiv i AZHR-lindje, Agim Zeka dhe ai i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.

“Përpos parandalimit të përhapjes së virusit, jemi angazhuar edhe në parandalimin e dëmeve në ekonomi. Përkundër efekteve që i ka lënë pandemia, bashkërisht do të koordinohemi për mënyrën se si t’i rikthejmë kapacitetet e plota, duke përfshirë shërbimet dhe sektorët tjerë që janë prekur”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë konferencës për medie.

Ndërsa Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, ka thënë se pandemia, përpos krizës shëndetësore, ka shkaktuar edhe krizë ekonomike.

“Janë goditur sektorët kyç të ekonomisë duke filluar nga transporti, shërbimet, prodhimi, hoteleria e gastronomia”, ka thënë ajo, duke shtuar se ekipi komunal ka përgatitur një pyetësor, përmes të cilit synojnë ta bëjnë vlerësimin e dëmeve.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i AZHR-lindje, Agim Zeka, ka inkurajuar bizneset që të ndajnë pak kohë për ta plotësuar një pyetësor për të marrë sa më shumë të dhëna në lidhje me kohën e pandemisë.

Kurse Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin e bizneset, duke shtuar se të dhënat që i marrin nga ta, janë shqetësuese për afarizmin e komunitetit të biznesit.

Më tutje, drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, ka theksuar se dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë kanë pasur efekt edhe tek fuqia punëtore.

“Prej fillimit të prillit, është rritur numri i të papunëve në zyrën e punësimit. Rreth 3400 aplikacione janë shqyrtuar dhe vënë në sistem, të cilat aplikacione janë bërë për pakon 15 të ndihmave në formën e asistencës sociale për familjet”, ka thënë Aliu.

Në fund, drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani, ka bërë me dije se dëmet në këtë sektor kryesisht janë në perimkulturë, përkatësisht në prodhimtarinë e ambienteve të mbrojtura. (L.G/ Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka…