Gjini me kritika ndaj Kurtit: Ata që thonë se Kosova bën pa Amerikën, nuk e duan vendin
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka çelur zyrtarisht fushatën zgjedhore në Gjakovë. Në këtë tubim mori pjesë edhe ish-kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, i cili shprehu mbështetje të plotë për kandidatin e Aleancës për kryeministër, Ardian Gjinin.
Haradinaj e cilësoi Gjinin si një ndër njerëzit më të aftë për ta udhëhequr vendin, duke shtuar se ai do ta përfaqësonte me dinjitet Kosovën.
“Kosova nuk është mirë, secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën për ta nxjerrë nga kjo gjendje. Unë besoj se e kam bërë më të mirën, sepse me zemër, me bindje dhe me shpirt ia kam besuar njërit prej njerëzve më të zotë që njoh për kandidat për kryeministër, Ardian Gjinin”, u shpreh Haradinaj.
Ai kritikoi edhe qeverisjen aktuale, duke thënë se qytetarët nuk duhet të përballen me, siç i quajti ai, “metoda komuniste të mbijetesës”.
“Mbas kaq dekadash që jemi të lirë, nuk duhet të pranohen metoda komuniste të mbijetesës. Janë metoda komuniste, por jo komunizëm i ndonjë sistemi të avancuar, janë metoda që na kthejnë mbrapa. Ne nuk duhet të jetojmë me këto metoda. Na duhet mirëqenie që buron nga të ardhura dhe nga një pagë dinjitoze. Nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë rritur pensionet, nuk është rritur mbështetja sociale që i takon secilit me të drejtë”, u shpreh Haradinaj.
Nga ana tjetër, Ardian Gjini foli për raportet me aleatët ndërkombëtarë, duke kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Na këtu kemi njeri që thotë: po, po e dojmë Amerikën, po edhe pa ta bën. Ata që thonë se bën edhe pa Amerikën edhe pa NATO-n, nuk janë ka e duan Kosovën, nuk janë ka i dojnë shqiptarët. Janë ka dojnë me i bo me besu që disi kemi mundësi me ia kthy shpinën ndryshe, por kjo që na e themi për aleancat tona nuk është vetëm oportunizëm. Nuk është se na vetëm kemi nevojë për partnerët tanë që na quajnë partnerë edhe pse jemi të vegjël. Na jemi një popull që duhet me ditë me tregu që i çmojmë ata që na janë gjend kur kemi qenë më së vështiri”, u shpreh Gjini.



