Gjini, mësuesve: Mos i leni fëmijët jashtë bankave për shkak të disa individëve me agjendë politike

23 janar 2019 | 20:05

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka kërkuar nga mësimdhënësit që ta ndërpresin grevën, në mënyrë që nxënësit të vijojnë mësimin normalisht.

“Mos i leni fëmijët tanë jashtë bankave të tyre për shkak të disa njerëzve që kanë agjendë puro politike!”, ka shkruar Gjini në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Gjinit:

Të dashur mësues,

Mësuesi i Kosovës nuk i ka lënë fëmijët jashtë bankave të shkollës edhe në kushte të rrezikut fizik dhe pa u paguar fare.

Paga e mësuesve po rritet pothuajse 15% në më pak se dy vite. Një mandat qeverisës, me këtë ritëm, premton rritje deri në 30 %.

Nesër do të publikohen pagat e shërbyesve civilë të komunës. Le ta shohin të gjithë sa janë e të mos spekulojnë.

Po iu flas si bashkëqytetar i juaji e jo si kryetar komune!

Lutja ime për ju është kjo:

Mos i leni fëmijët tanë jashtë bankave të tyre për shkak të disa njerëzve që kanë agjendë puro politike!

Mos lejoni që të humbasë respekti i prindërve, i fëmijëve dhe i gjithë popullit për shkak të një grushti njerëzish që nuk mendojnë fare për ju!

Mos lejoni që të arrijmë në pikën kur puna juaj fisnike të konsiderohet nga populli vetëm një vend pune pothuajse i pamerituar dhe vetëm për rrogë!

Askush nuk e meriton këtë gjendje për shkak të një grushti që janë të gatshëm ta tregtojnë të ardhmen në këmbim të të sotmes!

Më së paku e meritojnë fëmijët që po humbin ditë pune dhe po dëmtohen emocionalisht;

E menjëherë pas tyre, nuk e meritoni ju mësues të dashur!

Ju meritoni respekt dhe e gëzoni atë! Mos e lëshoni nga duart për hir të matrapazëve!

Gjithmonë i juaji, unë që jam rritur nga një mësuese që ka punuar në kohët më të zorshme, edhe pa rrogë!

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në…