SBAShK-u: Greva mund të zgjasë me muaj, duam rritjen e koeficientit

23 janar 2019 | 19:54

Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në gjithë Kosovën të cilët po kërkojnë ngritjen e koeficientit.

Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës në arsim do të kompensohen.

Megjithatë, Ymer Ymeri nga SBAShK-u,  ka thënë se institucionet nuk duhet të dalin me deklarata të tilla.

“Mendoj që institucionet duhet të kursehen nga deklaratat për fillimin ose kompensimin e orëve sepse ende jemi në grevë. Besoj që kemi nevojë që të zhvillojmë dialog dhe ta gjejmë formën se si ta ndërprejmë grevën e jo të bisedojmë sot për zëvendësimin e orëve të humbura kur ende sot jemi në grevë dhe nuk dihet sa do të zgjasë greva”.

“Ndoshta greva do të zgjasë edhe me muaj prandaj nuk duhet institucionet të kërkojnë që të zëvendësohen ditët e humbura”, ka thënë Ymeri për “Klan Kosova”.

Ai ka treguar edhe arsyet se pse SBAShK-u nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë dhe e ka vazhduar grevën.

“Oferta e Qeverisë është rritja prej 0.2 duke iu shtuar çdo koeficienti të punonjësve të arsimit parauniversitar pa i përfshirë çerdhet, punëtorët teknikë/administrativë dhe Universitetin – shuma e përgjithshme e kësaj oferte është 10-12 milionë euro”.

“Diferenca e ngritjes mes sektorëve të tjerë dhe arsimit është shumë e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse anëtarësia jonë e ka refuzuar këtë ofertë”.

“Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Maqedoninë, paga e mësimdhënësit në Shqipëri dhe paga e ministrit është në raport 1 me 1.2 derisa në Kosovë raporti është 1 me 5”.

“Paga e mësimdhënësve mund të jetë më e madhe në Kosovë se në Shqipër por pagat duhet t’i krahasojmë brenda shtetit të Kosovës pra duhet t’i krahasojmë pagat në arsim me pagat në sektorët e tjerë”, ka thënë ai.

Më tutje, Ymeri ka thënë se sipas Entit Statistikor të Kosovës, paga mesatare në vitin 2017 në sektorin privat dhe publik ka qenë 528 euro, derisa paga e arsimtarit ka qenë nën pagën mesatare në Kosovë.

“Qeveria gjithmonë thotë se arsimi është prioritet por në bazë të shpërblimit që ju jep del se nuk është prioritet”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se greva në arsim është mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të një shkolle në Deçan.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së nesërme, vendi ynë do të ndikohet nga…