Gjurmët e fundit të truallit të Rifat Berishës që mezi po rrinë në këmbë

02 janar 2021 | 01:24

Shkruan: Ismail Syla

Rifat Berisha ishte njëri ndër personalitetet e rralla kombëtare që i mbet besnik vendimeve të Konferencës së Bujanit (1943/1944). Ai ndonëse kryetar i Frontit Popullor të Kosovës ra ndesh me politikën jugosllave, e cila nuk e zbatoi premtimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, kur të përfundonte Lufta e Dytë Botërore. Rifat Berisha i shpëtoi arrestimit të OZN-ës serbe dhe në luftë me forcat policore dhe ushtarake serbe, vritet në fshatin Gajrak, duke tentuar të arratiset në Shqipëri.

Sot, gjurmët e fundit të shtëpisë, bunarit dhe disa drurëve të vjetër mezi rrinë në këmbë.

Është e pafalshme që dhëmbi i kohës të kafshojë çdo gjë. Moskujdesi institucional dhe familjar për këtë trashëgimi është për çdo qortim.

Aty ende janë vijat në lëndinë të dhomës së Rifatit, i cili u martua me Mirije Çanon nga Gjirokastra, në kohën kur mori mësimet ushtarake në Tiranën e kohës së mbretit Zog.

Ende është bunari, afër të cilit gjendet një kajsi shekullore.

Pak kohë para se të bie ndesh me forcat e sigurimit policor dhe ushtarak serb, Rifati kishte filluar ndërtimin e shtëpisë. Nuk arriti ta përfundonte tërësisht, por vetëm sa u rrafshuan muret deri te hatulla e dytë. Gurët kanë mbetur në fund të rrënojës. Vetëm një kënd i shtëpisë ka mbetur i dallueshëm edhe sot.

Në oborrin e Latif Berishës ende rri në këmbë mani me emrin “Dudi i hallës Hyrë” (i gjyshes së Halit Berishës).

Në një parcelë tash të lavruar ende vërehet dheu mbi të cilin ishte ngritur kulla e Tahir Berishës. Poshtë saj, mezi rri në këmbë arra shekullore e Tahir Berishës.

Pak më poshtë arrës janë dy lisa të mëdhenj dhe të vjetër. I pari ka një zgavër sa mund të strehohen tre njerëz. Aty, pas vrasjes së Rifatit, Halitit i linin ushqim familjarët, sepse ai lëvizte nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Edhe një lis tjetër i po asaj madhësie është disa metra ma poshtë.

Dy lisat dhe arra shekullore janë monumentet e fundit të trashëgimisë së Berishëve (Tahirit, Rifatit, Halitit) thotë një trashëgimtar i sotëm i Berishëve, Eshrefi, 56 vjeçar, drejtor i shkollës fillore “Rifat Berisha” në Berishë, që sot i takon adminsitrativisht komunës së Malishevës.

Një fillm dokumentar do duhej bërë sa më parë për të regjistruar shenjat e fundit të një trualli lavdimadh.

Berishë, 1 janar 2021 – Në oborrin e shtëpisë së Rifat Berishës (1910 – 1949) në Berishë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpresat po zbehen ndërsa përpjekjet e shpëtimit hyjnë në ditën…