Gjykata refuzon kërkesën e Blerim Isufajt për pezullimin e konkursit për kryeprokuror
Gjykata Administrative ka refuzuar kërkesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për pezullimin e konkursit për kryeprokuror të shtetit.
Në aktvendimin AP.nr.90/2026, të datës 05.06.2026, gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit Isufaj i cili kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.268/2026), për shpalljen e konkursit publik për këtë pozitë, deri në vendosjen përfundimtare të rastit në konfliktin administrativ.
Gjykata ka vlerësuar se paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e rrezikut për shkaktimin e një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm, si kusht ligjor për caktimin e masës së sigurisë.
Po ashtu, është theksuar se vendimi i kontestuar ka të bëjë me hapjen e procedurës së konkursit publik dhe nuk përbën vendim përfundimtar për përzgjedhjen apo emërimin e ndonjë kandidati.
Në arsyetim thuhet se “gjykata ka marrë parasysh edhe interesin publik që lidhet me funksionimin e rregullt dhe efektiv të sistemit prokurorial”, duke vlerësuar se pezullimi i konkursit në këtë fazë nuk është i arsyeshëm.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 7 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Isufaj pati kërkuar nga kjo gjykatë që të anulohej vendimi i Këshillit Prokurorial për hapjen e konkursit për kryeprokuror të ri, duke argumentuar se nuk ka pasur kompetenca të hapë procedurë pa i mbyllur ato parapraket. Në procesin paraprak, ai ishte propozuar për dekretim për kryeprokuror të shtetit. Por emri i tij ishte refuzuar nga udhëheqësit e shtetit që nuk e dekretuan. Krahas kërkesës për anulim, Isufaj kërkoi edhe masën e pezullimit deri në vendimin e gjykatës.



