Gjykata Speciale vërtetoi pretendimet tona se është politike

29 qershor 2020 | 11:02

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Nasim Haradinaj, ka thënë se publikimi i propozimaktakuzës për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli, ka treguar se Gjykata Speciale është gjykatë politike.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë kjo gjykatë ka vërtetuar pretendimet e OVLUÇK-së. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Haradinaj ka vlerësuar se ngutia e publikimit të propozimaktakuzës ka pasur qëllime dashakëqija për Kosovën.

“Natyrisht se me këtë veprim e vërtetoi argumentin tonë. Ruajtja e publikimit të kësaj aktakuze në këtë kohë, dhe publikimi i emrave tregon qëllimin e saj. Këto veprime janë shkelje juridike sepse, siç e dimë, aktakuzat publikohen vetëm pasi të konfirmohen ato nga gjyqtari i procedurës paraprake. Edhe pse të akuzohesh nuk do të thotë se je fajtor, mirëpo publikimi i saj në këtë kohë është më tepër se puro politike dhe dashakeqëse”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka deklaruar se publikimi i propozimaktakuzës pak ditë para mbajtjes së takimit të Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të konsiderohet edhe si sulm ndaj ShBA-së. “Kjo aktakuzë mund të konsiderohet edhe si sulm ndaj ShBA-së dhe shteteve të tjera që e duan Kosovën. Ne duhet ta dimë se Evropa jo çdoherë ka pasur qëndrim pozitiv ndaj nesh. Dhe kur e pa se procesi po shkonte aty ku duhej të shkonte, për të përfituar në kohë dhe për ta shantazhuar këtë proces, e publikoi aktakuzën”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se është koha e fundit që spektri politik të bashkohet, duke lënë anash interesat partiake.

Nënkryetari i OVLUÇK-së ka bërë me dije se nuk kanë hequr dorë nga zhbërja e kësaj gjykate.
Haradinaj ka vlerësuar se nëse nuk arrihet të zhbëhet kjo gjykatë, atëherë duhet të shikohet mundësia që Specialja t’i hetojë edhe krimet e Serbisë në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Haradinaj, Gjykata Speciale ka publikuar një propozimaktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Cili është qëndrimi i OVLUÇK-së për këtë çështje?
Haradinaj: OVLUÇK-ja edhe më herët ka thënë se çdo ish-ushtar i UÇK-së do të jetë cak i kësaj gjykate. Qëndrimin për këtë gjykatë ne e kemi bërë me dije edhe më herët dhe do të vazhdojmë të deklarojmë se jo kjo gjykatë është politike. Pra, kjo është gjykatë e padrejtë sepse është një-etnike. Për mua është gjykatë raciste. Prej fillimit të punës e deri të ngritja e kësaj akuze, kjo gjykatë ka shpërfaqur atë që e kemi thënë ne, se funksionon mbi argumente politike dhe jo mbi juridike. Publikimi i kësaj akuze pak dita para se Kosova të nisë një dialog me Serbinë në ShBA, në të cilin do të bisedojë për një marrëveshje historike në mes të këtyre dy vendeve, tregon për karakterin e kësaj gjykate.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se tani kjo gjykatë vërtetoi pretendimet e OVLUÇK-së?
Haradinaj: Natyrisht se me këtë veprim e vërtetoi argumentin tonë. Ruajtja e publikimit të kësaj aktakuze në këtë kohë dhe publikimi i emrave tregon qëllimin e saj. Këto veprime janë shkelje juridike sepse, siç e dimë, aktakuzat publikohen vetëm pasi të konfirmohen ato nga gjyqtari i procedurës paraprake. Edhe pse akuzohesh nuk do të thotë se je fajtor, mirëpo publikimi i saj në këtë kohë është më tepër se puro politike dhe dashakeqëse. Kjo aktakuzë mund të konsiderohet edhe si sulm ndaj ShBA-së dhe shteteve të tjera që e duan Kosovën. Ne duhet ta dimë se Evropa jo çdoherë ka pasur qëndrim pozitiv ndaj nesh. Dhe kur e pa se procesi po shkonte aty ku duhej të shkonte, për të përfituar në kohë dhe për ta shantazhuar këtë proces, e publikoi aktakuzën.

“Epoka e re”: Cila duhet të jetë përgjigjja e institucioneve të Kosovës?
Haradinaj: Kosova sot është e përçarë politikisht. Fatkeqësisht, ne asnjëherë nuk kemi mundur të flasim për një Kosovë unike. Po të ishim të bashkuar me siguri se do të çliroheshim atëherë kur janë çliruar të gjithë popujt e tjerë. Shqiptarët u mashtruan duke menduar se tani u çliruan dhe më nuk duhet të bëjmë asgjë. Menduan se me përfundimin e luftës ushtarake ka përfunduar edhe lufta politike me Serbinë. Mirëpo shërbimet sekrete, veçanërisht ato serbe që, fatkeqësisht, kanë ndërtuar rrjet ndër shqiptarë, punuan shumë në këtë drejtim dhe suksesin e arritën me formimin e Gjykatës Speciale sepse caku i parë i shërbimeve sekrete ka qenë UÇK-ja dhe ushtarët e saj. Dhe dihet se menjëherë pas luftës filluan t’i vishen UÇK-së gjera të liga, ndërsa UÇK-ja nuk ekziston më prej vitit 1999. Pra, prej pasluftës qëllimi ka qenë që të sulmohet UÇK-ja . Mendoj se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të tregohen unikë ndaj kësaj çështje. Në kohë të vështira ne duhet të jemi të bashkuar pa marrë parasysh bindjet tona politike. Bindjet tona politike nuk duhet të jenë arsyeje të përqasjes të cilat do ta dëmtonin shtetin. Mendoj se uniteti nuk do t’i lig partitë politike, por do t’i forcojë ato dhe do të tregohemi para botës më bindës në synimet tona.

“Epoka e re”: Mirëpo gjykata po thotë se po gjykon individët dhe jo UÇK-në?
Haradinaj: Por ta prekësh komplet Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, t’i prekësh komandantët e zonave operative, do të thotë se e ke prekur UÇK-në. Besoj se edhe ata janë të vetëdijshëm se UÇK-ja nga individët është përbërë. Paradoksi tjetër është se ata kurrë nuk e kanë njohur luftën e UÇK-së si luftë, por si konflikt, ndërsa tani djemtë tanë duan t’i dënojnë për krime lufte.

“Epoka e re”: Unifikimi i spektrit politik, a do të thotë nisje e procedurave për zhbërjen e kësaj gjykate, siç ka paralajmëruar OVLUÇK?
Haradinaj: Ne kemi tentuar edhe më herët ta zhbëjmë këtë gjykatë, por kemi dështuar sepse politika, edhe pse na kishte premtuar se do ta votojë zhbërjen e kësaj gjykate në Kuvend, në fund nuk e mbajti premtimin. Komplet politika na ka rrejtur. Ata që po mburren se në fillim kanë votuar kundër kësaj gjykate, nuk ishin për zhbërjen e kësaj gjykate. Ti mund të jesh kundër formimit të një diçkaje të keqe që është veprim i duhur, mirëpo nëse nuk je për heqjen e asaj të keqe, atëherë je i barabartë me atë tjetrin që e ka bërë. Ne do të provojmë. Nëse nuk mund ta zhbëjmë, ne mund ta amandamentojmë atë që t’i ndjekë të gjitha krimet. Ne nuk jemi kundër zbardhjes së krimeve të pretenduara në Kosovë. Përkundrazi, ne jemi për t’i zbuluar krimet, por jo vetëm të një etnie. Ne duam t’i zbardhin të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë. E krimet dihet kush i ka bërë krime në Kosovë, kush ka bërë djegieje dhe dhunime dhe kush ka bërë gjenocid. Serbia është ajo që i ka bërë këto. Nëse bëhet një gjykate për zbardhjen e krimeve në Kosovë, ne e dimë se Serbia do të dalë si shteti që ka kryer krime, ndërsa UÇK-ja do të dalë e pastër sepse ka bërë luftë të drejtë dhe luftës së drejtë ki arsyeje t’i thuash e pastër.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e hënë) zhvillohen tri ndeshjet e tjera në kuadër…