Gjyshja

06 janar 2022 | 13:43

Uran Krasniqi

 Kur isha i vogël mbaj mend që flija me gjyshen. Asaj i kishte vdekur burri kaherë, që ishte gjyshi im, vajzat dhe djemtë i kishte të rritur e të martuar, dhe për kohë të gjatë kishte fjetur vetë. Një ditë, kur isha rritur pak, i kishte thënë nënës sime: “ma jep djalin të flejë me mua”.

Gjyshja çdo natë para gjumit më tregonte përralla. Bile atë përrallën “kanë qenë një plak dhe një plakë e kanë shti pasul për darkë…” e kisha mësuar përmendsh dhe kur zinte në thua ndokund gjatë rrëfimit, i ndërhyja, duke i thënë: këtu e harrove pak se kështu është, për të ma miratuar ajo me një “poooo, mirë e ki”.

Gjyshja e kishte gjumin e lehtë. Një lëvizje e diçkaje e zgjonte nga gjumi ani pse gërhiste në gjumë. Një natë, për çudi, nuk gërhiste dhe as nuk i dëgjonte lëvizjet e mia. Meqenëse s’ia dëgjoja frymëmarrjen, mendova se ka vdekur. Fillova të qaj pa zë dhe nuk ndalesha. Qava shumë dhe nisa ta prek e t’i them: a je gjallë?! Kur ma ktheu: “gjallë jam djali jem”. U gëzova shumë. M’u duk se bota u bë e imja.

Derisa natën ishte më e afërt dhe më fuste në gjumë me përralla, gjatë ditës gjyshja ishte e ashpër. Ajo e kishte një thupër akacie që e kishte prerë në gardhin rreth arës afër shtëpisë dhe e mbante nën sfungjer për mua. Më sulmonte kur i rrahja motrën dhe vëllanë tim më të vogël. Kur më lëshonte dhe i largohesha disa metra, e fyeja. “Ah masi të lëshova tash fol sa të dush”, më thoshte.

Jeta e vështirë e kishte bërë edhe të *shtirë. Si një grua e mbetur pa burrë shpeshherë i ishte dashur që të ishte burrë. Më kujtohen rrëfimet e anëtarëve të tjerë të familjes për konfrontimet verbale të saj me milicinë jugosllave, e cila shtëpinë tonë në vitet ’80 e kishte pasur shpeshherë në shënjestër. “Jeni bërë si qentë”, u kishte thënë milicëve shqiptarë dhe serbë. Xhaxha Rexhepi, i cili ishte arsyeja që ajo ishte përplasur me milicinë, më tregonte më vonë se si gjatë marrjes në pyetje nga organet e hetuesisë së shtetit jugosllav, do t’ia shanin nënën.

Për të m’i hequr dhëmbët e qumështit apo të foshnjërisë që u thonë, gjyshja e luante rolin e stomatologes. Dhëmbin që më lëvizte ma lidhte me penj, e lëvizte dhe goditjen përfundimtare ndaj dhëmbit e realizonte me një tërheqje të fuqishme dhe dhëmbi dilte. Pastaj i thoshte disa vargje poetike:

Sorrë, sorrë,

kapetorrë!

Ama një dhamb t’ri,

qe nji dhamb t’vjetër.

Ama nji dhamb tjetër,

Ta kem nji dhamb t’ri,

Kur t’ha bukë e fli.

Sa isha i vogël mendoja se autore e vargjeve me sorrë ishte vetë gjyshja. Shumë më vonë, duke shfletuar, këto vargje i gjeta te libri Këngë popullore lirike të autorit Demush Shala.

Ka ndodhur që më merrte me vete kur dilte në treg të enjteve në Malishevë. Së bashku me Hajrinë, një grua tjetër, ndoshta moshatare të saj, që e kishte shtëpinë afër shtëpisë sonë. E kishte zakon t’u thoshte shitësve dhe kundokterëve “mjeshtër”. “Mjeshtër sa është kjo?” apo “mjeshtër sa është bileta?”. Kur e dëgjoja duke u thënë ashtu, i reagoja. O nuk është ky mjeshtër, është shitës, ose nuk është ky mjeshtër po kondukter. Qeshte rrallë por, kur reagoja ashtu, atëherë i vinte të qeshte më shumë. Sot shpesh, më së shumti kamerierëve, me shaka u them “mjeshtër”. Tash së voni një kamerier më tha: “nuk jam mjeshtër”. I thashë: normal që ti nuk je mjeshtër, në kuptimin siç janë ata që ndërtojnë shtëpi, por ti e kryen punën tënde mirë dhe je mjeshtër. Pra, i thashë, unë po të vlerësoj kur po të them “mjeshtër”. Natyrisht që po bëja shaka.

Atë natë tetori të vitit 1997, kur unë sapo erdha nga shkolla, gjyshja më tha se po shkonte në Malishevë. “Ha bukë ti se veç po shkoj për ni nikci e nuk vanohna”. Dhe nga atë natë ajo, Nailja nga Lubizhda, fshat afër me Drenocin, nuk erdhi ashtu siç doli, kurrë më. E sollën vetëm si kufomë. Në atë moment isha në odë, duke e shikuar televizorin, kur erdhi babai im dhe e ndali televizorin. Për herë të parë dhe të vetme e pashë babanë me lot në sy.

 

*Shtirë – në gjuhën joformale “e shtirë”, që në të folurën formale është “e vështirë”, e që përdoret në kuptim të të ashpërsisë, rreptësisë e egërsisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Newcastle United ka kthyer vëmendjen e tyre drejt mbrojtësit të…