GLPS-ja kërkon që Projektligji për Byronë e Konfiskimit të mos votohet në lexim të dytë

27 tetor 2026 | 11:34

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka kërkuar që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të mos votohet në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, por të kthehet për shqyrtim të mëtejshëm në Komisionin për Legjislacion.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e GLPS-së, Blerina Istrefi dhe Liridon Salihu, kanë shprehur shqetësime lidhur me procedurën parlamentare dhe përmbajtjen e projektligjit, i cili pritet të shqyrtohet të enjten në lexim të dytë.

Salihu ka theksuar se, sipas vlerësimit të GLPS-së, projektligji aktual nuk i adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk përmban ndryshime thelbësore krahasuar me versionin që kjo gjykatë e kishte rrëzuar në vitin 2023.

“Pra, fillimisht procedura mes dy leximeve ka qenë më shumë një formalitet sesa një shqyrtim në detaje i dispozitave të këtij projektligji. […] Ne vlerësojmë që ky projektligj përmban të gjitha ato dispozita për të cilat Gjykata Kushtetuese në vitin 2023 e ka rrëzuar këtë projektligj. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim substancial sa i përket përmbajtjes në raport me atë që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Salihu.

Shqetësimet për afatin retroaktiv dhe sigurinë juridike

Sipas Salihut, GLPS-ja ka identifikuar disa çështje shqetësuese në përmbajtjen e projektligjit, përfshirë afatin retroaktiv për verifikimin e pasurisë, pavarësinë funksionale të Byrosë, sigurinë juridike të qytetarëve, aspektin penal dhe barazinë e palëve në procedurë.

Një nga çështjet kryesore, sipas tij, është përcaktimi i 17 shkurtit 2008 si pikënisje për verifikimin e pasurisë, ndonëse GLPS-ja vlerëson se duhet të respektohet kufiri kohor prej dhjetë vjetësh.

“Prandaj, kemi kërkuar që ky afat të hiqet dhe të respektohet në përpikëri afati i cili është sugjeruar dhe është rekomanduar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pra jo afat më i gjatë sesa dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, ka thënë Salihu.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për pavarësinë funksionale të Byrosë, duke paralajmëruar mundësinë e përdorimit të saj si mjet politik.

GLPS-ja kërkon kthimin e projektligjit në komision

Në fund, GLPS-ja i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që projektligji të mos miratohet në lexim të dytë, por të kthehet në Komisionin për Legjislacion, ku, sipas organizatës, duhet të sqarohen çështjet që mund të cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve.

“Prandaj, ne i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që të enjten, kur edhe është caktuar në rend të ditës miratimi në lexim të dytë i këtij projektligji, ky projektligj të mos votohet në lexim të dytë. Pra, të kthehet edhe një herë në Komisionin për Legjislacion dhe të sqarohen të gjitha këto çështje që janë kontestuese dhe që e cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka shtuar se GLPS-ja u ka bërë thirrje palëve të autorizuara që, në rast se projektligji miratohet në formën aktuale, ta kontestojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar në…