Komisioni për Siguri miraton në parim Projektligjin për AME-në, deputetët kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm

27 tetor 2026 | 11:33

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me të cilin synohet krijimi i një kuadri ligjor për funksionimin e kësaj agjencie.

Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se qëllimi kryesor i projektligjit është krijimi i një kuadri ligjor për AME-në, duke propozuar miratimin e tij në lexim të parë.

“Qëllimi kryesor i projektligjit është krijimi i një kuadri ligjor për AME-në. Sot e kemi vetëm miratimin në parim. Propozoj që ta miratojmë në lexim të parë”, ka thënë Bajqinovci.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është shprehur në favor të miratimit të projektligjit në parim, por ka kërkuar që ai të shqyrtohet me kujdes të veçantë, në mënyrë që të hartohet siç duhet.

“Konsideroj që në parim duhet të miratohet ky ligj dhe t’i dërgohet seancës. Pres që ky projektligj të shqyrtohet me kujdes të veçantë dhe të mos ngutemi, sepse është e domosdoshme të jetë i hartuar mirë”, ka thënë Musliu.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka theksuar rëndësinë e projektligjit për funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, duke bërë të ditur se ligji nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2014.

Ajo ka shtuar se, sipas praktikës së komisionit, të gjithë anëtarët mund të kontribuojnë në hartimin e tij.

“Si praktikë e komisionit ka qenë që të gjithë anëtarët të mund të marrin pjesë në punim. Ky ligj për AME-në është një ligj me rëndësi jetike. Që nga viti 2014 nuk ka pasur ndryshime. Besoj se ndryshimet do të jenë në të mirë të funksionimit të agjencisë”, ka thënë Selimi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbrojtësi Amir Rrahmani do të jetë i gatshëm për lojë…