Gratë zotërojnë vetëm 17 për qind të pronës në Kosovë

13 shtator 2022 | 16:57

Profili Gjinor i Kosovës “Bujqësia dhe jetesa rurale”, i përgatitur nga Rrjeti i Grave të Kosovës, me mbështetjen financiare të FAO-s, vë në pah pabarazitë gjinore që ndikojnë në aspekte të ndryshme të prodhimit bujqësor dhe jetesës rurale.

Vlerësimi thekson se gratë rurale shpenzojnë 83 për qind të kohës së tyre duke punuar në punë të paguar ose të papaguar, ndërsa burrat ruralë shpenzojnë vetëm 66 për qind të kohës.

Gratë rurale shpenzojnë dy herë më shumë kohë se burrat me gatimin, pastrimin dhe kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit.

Për shkak të përgjegjësive shtëpiake, të cilat u atribuohen shoqërisht grave, ato kanë kohë më të kufizuar për punë të paguar, aktivitete bujqësore, arsimim, trajnim dhe angazhim në proceset lokale të vendimmarrjes. Rrjedhimisht, burrat përfaqësojnë familjet e tyre në proceset vendimmarrëse jashtë familjes.

Sipas studimit, gratë zotërojnë vetëm 17 për qind të pronës në Kosovë, gjë që kufizon qasjen e tyre në tokë, grante, subvencione dhe kredi. Më pak se 0.3 për qind e të gjitha ekonomive bujqësore janë të regjistruara si biznese. Nga të gjitha fermat gratë zotërojnë vetëm 4.9 për qind dhe përbëjnë 5.8 për qind të fermerëve të regjistruar.

Të dhënat e këtij studimi janë prezantuar në një punëtori konsultative me palët e interesit.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka thënë se duke qenë e vetëdijshme se kushtet e jetesës në zonat rurale janë më të vështira, qeveria ka vendosur ta rrisë buxhetin për programet të cilat ndihmojnë dhe zhvillojnë bujqësinë dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në zonat rurale, me fokus te gratë dhe të rinjtë.

Ai ka bërë me dije se në Strategjinë dhe Programin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 2022-2028 është bërë një përmirësim me masa afirmative për përkrahje të grave.

“MBPZhR është duke punuar edhe në Ligjin për Faturat Bujqësore dhe të Magazinave, ku fermerëve u mundësohet qasje më e lehtë në financa, e këtu sidomos për gratë mund të krijohet qasje më e lehtë, duke e ditur se ato kanë më shumë probleme në qasje në financa”, ka theksuar zëvendësministri Demelezi.

Sipas Anna Jenderedijian, specialiste për mbrojtjen gjinore dhe sociale në FAO, qëllimi kryesor i analizës së bërë është identifikimi i boshllëqeve kryesore gjinore si dhe për ta identifikuar mbështetjen e mundshme teknike të FAO-s në të ardhmen për sektorin.

Nicole Farnsworth, drejtoreshë e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka theksuar se Profili Gjinor i Kosovës “Bujqësia dhe jetesa rurale” propozon rekomandime të bazuara në prova për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit ekonomik të grave në bujqësi dhe zhvillim rural, duke përfshirë strategji digjitale gjithëpërfshirëse.

“Rekomandimet synojnë të informojnë disa strategji dhe programe që po hartohen në Kosovë, për të siguruar që ato të jenë të informuara nga analiza gjinore. Ne si RrGK shpresojmë që rekomandimet tona të merren parasysh dhe të adresohen nga institucionet përkatëse”, ka deklaruar Farnsworth, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me MBPZhR-në dhe institucionet e tjera për zbatimin e rekomandimeve dhe për një shoqëri më të barabartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amanda Toska ka tri diploma universitare, por jo edhe punën…