Greqia nuk ndryshon qëndrim karshi Kosovës

28 mars 2023 | 14:36

Qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar. Kështu ka deklaruar  të martën presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, ka thënë Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo gjithashtu ka theksuar se Greqia e mirëpret aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që është arritur në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e marrëveshjes”,ka thënë ajo.

Kosova dhe Serbia para takimit të Ohrit, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian për normalizim.

Sakellaropoulou ka shtuar se Greqia mbështet dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik i Greqisë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ofrojë paqe dhe siguri dhe do të parandalojë ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo, raporton “Rel”.

Ndërsa Vuçiqi ka thënë se me homologen greke, ka biseduar për marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe për lidhjen e infrastrukturës dhe stabilitetin energjetik.

Vuçiqi ka thënë se është rënë dakord për “blerjen e sasive të caktuara të gazit të lëngshëm” nga Greqia.

“Tema e takimit ishte ndërlidhja e mëtejshme energjetike, ku Serbia shprehu interesin për blerjen e gazit të lëngshëm nga (porti grek) Aleksandropolis”, ka thënë Vuçiq dhe shtoi se tubacioni i gazit me Bullgarinë duhet të përfundojë në tetor, i cili do të lehtësojë dërgimin e gazit.

Vuçiqi ka falënderuar presidenten greke për mbështetjen e Serbisë në rrugën e saj evropiane, duke shtuar se është me interes jetik që Serbia të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje kompromisi në bisedimet me Kosovën dhe të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se shteti do të vazhdojë reformat dhe do të punojë për përmirësimin e të drejtave të njeriut, si dhe “do të zbatojë gjithçka që është rënë dakord”.

“Serbia është në rrugën evropiane dhe dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, por kjo nuk varet vetëm nga ne. Pjesa më e madhe e asaj që pritet nga Serbia ka të bëjë me dialogun me Prishtinën”, ka thënë Vuçiq.

Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është lidhur me përparimin e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane.

Ndryshe, përveç Greqisë, edhe Sllovakia, Qiproja, Spanja dhe Rumania janë pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Athina, megjithatë, ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Agron Hoti Njëra ndër sfidat kryesore të Kosovës që…