Gruevski kaloi nga Tirana? Policia shqiptare përgënjeshtron mediet

15 nëntor 2018 | 17:44

Stuhia që ngriti largimi i Nikola Gruevskit nga Maqedonia ka përfshirë edhe Shqipërinë, ku është thënë se ai ka mundur të arratiset për në Hungari nëpërmjet Tiranës.

Është thënë se Gruevski e ka kaluar kufirin maqedonas-shqiptar me një pasaportë të rreme, e pas kësaj është nisur me avion nga Tirana drejt Budapestit.

Autoritetet e Shkupit kanë nxituar të deklaronin se një ditë më parë ish-shefi i ekzekutivit nuk kishte kaluar nga ndonjë pikë kufitare, e kjo ka ngjallur dyshimet se mund të ketë përdorur një pasaportë bullgare, por Sofja e ka hedhur poshtë kategorikisht një mundësi të tillë.

Policia shqiptare ka këmbëngulur se nga Rinasi nuk është nisur askush me këtë emër. Ambasada hungareze në Tiranë, e kontaktuar nga “Top Channel”, ka refuzuar të komentonte mbi situatën dhe mbi pretendimet se Gruevski është strehuar atje për një natë.

Partitë opozitare hungareze i bënë thirrje qeverisë hungareze ta arrestojë dhe ta ekstradojë sa më shpejt, me argumentin se ai nuk po largohet nga një vend ku ka luftë dhe se nuk është i përndjekur mbi baza fetare apo politike.

Edhe ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ka ironizuar me pretendimet e Gruevskit për azil, duke shkruar në “Twitter” se është mirë që Hungaria po i hap kufijtë për refugjatët.

Së fundi, mbi situatën ka reaguar dhe Departamenti amerikan i Shtetit, i cili ka theksuar se Gruevski duhet të paraqitet para drejtësisë dhe të vuajë dënimin me burg në vendin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me…